Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 13-vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari

, 06.03.2011




“Sot, në këtë ditë të shënuar, përshëndetjet tona përgjithësisht dhe përshëndetjet e mia në veçanti, kanë vetëm një adresë: heronjtë, dëshmorët, të rënët, invalidët e veteranët e luftës dhe veteranët e Lëvizjes Kombëtare”. Me këto fjalë iu drejtua të pranishmëve sot, në Akademinë Përkujtimore me rastin e 13-vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar, Adem Jasharit dhe familjes së tij, e cila u mbajt në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.

Kreu i Kuvendit, në fjalën e tij tha se 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998, vërtet hyri në historinë më të re të Kosovës, me tërë tragjiken dhe madhështinë e vet. Ditët që në ritmin e vet brenda kalendarit, do të ishin të rëndomta, tha kryeparlamentari Krasniqi, në rrethana të veçanta marrin shenjën e sakrificës sublime të njeriut dhe shndërrohen në Epope. Epopeja, tha tutje Krasniqi, sikundër dihet, nuk matet me ritme tokësore, me orë, ditë, javë, muaj e vite, ajo bart barrën e aspiratave shekullore për liri të një populli. “Ajo e bën realitet këtë aspiratë dhe vet shndërrohet në muranë kujtese për gjeneratat që vijnë”.

“Atyre ditëve, të para 13 viteve, sikundër edhe sot, kam menduar shpesh, si ndodhi që bashkë me lajmin e huaj për të, ‘U vra Adem Jashari’, doli lajmi i popullit, ‘Ra, Adem Legjendari’. Çka ndodhi, si u bë, kush e vuri këtë epitet në vend të mbiemrit? Të vritesh, do të thotë të vdesësh, të zhbëhesh. Të biesh, do të thotë të ringritesh. ‘Edhe 99 herë po të biem, prapë do të ngrihemi’, ligjëronin rilindësit tanë të urtë. Prandaj, s’është e çuditshme, pse në figurën e Adem Legjendarit, shpirtëzohej sa Çerçiz Topulli, sa Bajram Curri, sa Hasan Prishtina, sa Azem Bejta, sa Tahir Meha, figura unikate e luftëtarit të lirisë, shtrirë anekënd gjeografisë së atdheut, shtrirë përmasave të kohës historike”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdim, kryeparlamentari Krasniqi tha se përvjetorët e Epopesë, doemos që janë momente përkujtimi, nderimi dhe reflektimi, në vendin madhor që gjithnjë është shkëmb që pret rrufetë e predhat artilerike të të gjitha kalibrave, dhe rri, si dje, si sot, si mot, komandanti Adem Jashari.

“Adem Legjendari na priu pas rënies dhe i dha kuptim të ri jetës sonë, për sot e mot. Në çdo mal e në çdo kodër, në ditë me mjegull, me shi e me borë, para dhe pas çdo beteje, na shfaqej ai, Adem Legjendari, na shfaqej e na bëhej krah, na e merrte mbi supet e veta lodhjen e pagjumin, e na jepte forcën, shpresën e besimin. Emrin e tij, me epitetin Legjendari, e shqiptonin çunat e çupat, burrat e gratë, pleqtë e plakat. Emrin e tij e shqiptonim ne, bashkëluftëtarët e tij. Emrin e tij do ta shqiptojnë për jetë të jetëve gjeneratat që do të vijnë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij, kryetari Jakup Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 13-vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari