Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

, 23.03.2011




Duke e shqyrtuar Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, pjesën për financimin e Ministrinë e Jashtme dhe Shërbimin diplomatik dhe konsullor të Kosovës, për vitin 2011, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i komisionit, kanë konstatuar me keqardhje se sivjet ndahen më pak mjete buxhetore për Ministrinë e Jashtme dhe Shërbimin diplomatik dhe konsullor të Kosovës, se sa në vitin e shkuar. Sivjet për MPJ-në janë paraparë rreth 18 milionë e 365mijë euro, nga mbi 26 milion sa ishin ndarë për vitin e kaluar,ose për 30 për qind më pak se një vit më parë. Zvogëlimi i buxhetit kryesisht ka të bëjë me mjetet financiare për investime kapitale (blerjen e ndërtesave për ambasadat e Kosovës në vende të ndryshme të botës). Duke vlerësuar se Buxheti i propozuar për MPJ-në është më shumë shpenzues se sa zhvillimor, Komisioni për Punë të Jashtme i rekomandon Komisionit për Buxhet dhe Financa që të mos zvogëlohet buxheti i sivjetmë për MPJ-në dhe Shërbimin diplomatik dhe konsullor të Kosovës.

Duhet të investohet më shumë në përgatitjen e kuadrit profesional për këtë ministri dhe për funksionimin e Shërbimit diplomatik, duke përfshirë edhe pagat më dinjitoze për ta, kanë theksuar anëtarët e këtij komisioni, të cilët janë pajtuar që buxheti duhet të jetë më i specifikuar dhe i ndërlidhur me programin qeverisës.

Kryetari i Komisionit, Kurti, i ka njoftuar anëtarët e tjerë të komisionit se në Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Kosovës, e cila u është shpërndarë deputetëve, figuron edhe Projektligji për marrëveshjet ndërkombëtare, i cili bie në domenin e këtij komisioni (si funksional) për shqyrtim dhe amendamentim.
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme