Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kthehet nga vizita zyrtare në Hungari

, 30.03.2011




Delegacioni parlamentar i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga kryekuvendari Krasniqi, u kthye sot nga vizita zyrtare në Hungari, ku ishte me ftesë të kryetarit të Asamblesë Kombëtare, z. László Kövér. Në përbërje të delegacionit ishin edhe Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ismet Beqiri , kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, Mehmet Hajrizi, shef i kabinetit dhe Skënder Reçica, këshilltar i kryetarit për protokoll dhe marrëdhënie të jashtme.

Në kuadër të kësaj vizite delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, pos me kryetarin Asamblesë Kombëtare, z. László Kövér, u takua edhe me personalitete të tjera, si: me sekretarin e shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, z. Zsolt Németh, z. Richárd Hörcsik, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane dhe z. Zoltan Toth, sekretar i përgjithshëm i Asociacionit të Evropës Qendrore për Zgjedhje.

Me t’ u kthyer në Aeroportin e Prishtinës, kryekuvendari Krasniqi dha një konferencë për media. Rrethanat e krijuara në Kosovë, tha ai, bënë që te kthehemi para kohës së planifikuar. Vizita në Hungari ishte shumë e suksesshme. Kjo vizitë nga ana e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, z. László Kövér, u vlerësua historike, sepse ishte e para pas pavarësisë së Kosovës. Duke ditur se Hungaria udhëheq presidencën e BE-së, tema kryesore të bisedimeve dypalëshe ishin çështja e liberalizimit të vizave dhe integrimet evropiane. Hungaria është e interesuar, tha më tutje, kryekuvendari Krasniqi, që të ndihmojë në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës , si dhe të mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian e anëtarësimin e saj në mekanizmat rajonalë dhe euroatlantik. “Këtë përkrahje e gjetëm te të gjitha bashkëbiseduesit”, theksoi kreu i legjislativit të vendit.

Vëmendje e posaçme iu kushtua edhe bashkëpunimit ndërparlamentar, ndërsa në këtë frymë pritet që të nënshkruhet edhe një memorandum bashkëpunimi ndërmjet dy parlamenteve , që ka për qëllim avancimin e mëtejme të këtij bashkëpunimi.

Duke u përgjigjur në një pyetje rreth asaj se si do të reflektojë vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës, kryekuvendari Krasniqi tha:” Jemi para një realiteti që na është krijuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo ende nuk kemi një informacion më të plotë, përkatësisht nuk e kemi vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Edhe në këto momente jo krejt normale , ndoshta del diçka e mirë, e kjo është gatishmëria e të gjitha faktorëve që ishin përfshirë në këto procese që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pra të mësohemi që vendimet e institucioneve të pavarura, të institucioneve të kushtetuese, të respektohen nga të gjithë. Kjo është më e mira që mund të thuhet në këtë moment nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës”, theksoi kryekuvendari Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi,  kthehet nga vizita zyrtare në Hungari