Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë

, 06.04.2011




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga, dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar Propozimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore. Kryesia, me këtë rast, ka mbështetur qëndrimin e Komisionit për Legjislacion, që në seancën plenare të Kuvendit të votohet kandidati i propozuar për këtë post.

Kryesia ka vendosur që në njërën nga seancat në vijim ta radhisë edhe propozimin e deputetit Nait Hasani, për debat parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Kryesia, ndërkaq, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, apo nga ministria përkatëse, që të përgatisë një material për temën e kërkuar, i cili do t’iu shërbente deputetëve për zhvillimin e debatit parlamentar.

Pasi i ka shqyrtuar për herë të dytë kërkesat e dy ish-kryetarëve të Kuvendit, z. Kolë Berisha dhe z. Nexhat Daci, për benefitet shtesë, nga të ushtruarit e funksionit në krye të legjislativit të vendit, Kryesia nuk i ka tumirë ato.

Kryesia në mbledhjen e sotme është njoftuar me vendimin e deputetëve lidhur me përfaqësimin me rotacion në Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, në bazë të rotacionit, si dhe me njoftimin e Komisionit për Legjislacion lidhur me formimin e Nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit. Duke e marrë, ndërkaq, njoftimin lidhur me Propozim-udhëzimin për administrimin e buxhetit të komisioneve parlamentare, Kryesia ka ngarkuar Administratën e Kuvendit që deri në mbledhjen e ardhshme të propozojë zgjidhje oportune për këtë çështje.
Nga mbledhja e Kryesisë