Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 08.04.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga Lutfi Haziri, kryetar i komisionit, mori pjesë ministrja e Integrimeve Evropiane, znj. Vlora Çitaku, për të raportuar para komisionit lidhur më angazhimet e gjertanishme të ministrisë të cilën e përfaqëson ajo.

Temë diskutimi e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave, ri-integrimi i personave të ri-atdhesuar, marrëveshja tregtare, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, etj.

Ministrja Çitaku njoftoi fillimisht anëtarët e komisionit lidhur me vizitën që ajo ka pasur në Bruksel dhe takimet me zyrtarë të lartë të këtij shteti, duke e cilësuar si një vizitë tejet të suksesshme për vendin.

Më tej Çitaku theksoi se MIE në kuadër të fushëveprimit të saj ka 51 institucione të ndryshme të cilat i raportojnë drejtpërdrejtë ministrisë. “Një ndër veprimet e para që kam ndërmarrë pas emërimit tim si ministre ka qenë miratimi i Rregullores për zyret për Integrim Evropian. Është unifikuar sistemi në kuadër të të gjitha ministrive dhe këto departamente nuk janë përgjegjësi vetëm për procesin e integrimit evropian por edhe për koordinimin e politikave. Përmes kësaj rregullore kemi integruar politiken e procesit të integrimit si politikë primare e Qeverisë se Kosovës. Dhe, kjo rregullore është duke u implementuar”, theksoi ministrja Çitaku.

Më tej ajo theksoi se kanë aprovuar edhe dhjetë prioritetet strategjike të cilat ndërlidhen me procesin e integrimit evropian, prioritete të cilat kryesisht janë në funksion të përmbushjes së kritereve për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimit të vizave dhe marrëveshjes tregtare. “Kriteret në bazë të kërkesave të parashtruara nga ana e Komisionit Evropian i kemi plotësuar qysh në vitin e kaluar. Nga ne tani kërkohet që t’u ofrohet më shumë, madje kërkesë dhe sfidë e veçantë është funksionalizimi për integrim të personave të riatdhesuar në nivel komunal”, tha ministrja e Ministrisë së Integrimit Evropian.

Me qëllim të bashkërendimit institucional si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, në fushën e Integrimit Evropian, e në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave, sidomos sa përket ri-integrimit të personave të riatdhesuar, ajo ka përmendur edhe takimet e përbashkëta që kanë pasur si ministri, me Zyrën e Kryeministrit, ministrive relevante dhe komunave të vendit.

“Procesi i ri-integrimit të personave të riatdhesuar është një proces mjaft i rëndësishëm për Kosovën, dhe lidhet drejtpërdrejtë me liberalizmin e vizave dhe marrëveshjen e Kosovës për tregti të lirë me BE- në. Dhe, ne kemi kërkuar nga zyrtarët komunal që procesi i ri-integrimit të vendoset si një prioritet i rëndësishëm për komunat dhe të punohet më përkushtim serioz në këtë drejtim”, tha ministrja Çitaku.

Më tej ministrja Çitaku ka sqaruar se është miratuar edhe Plani i Veprimit për Partneritet Evropian, të vitit 2011.

“Pas hartimit dhe miratimit të këtij plani ne kemi marrë vlerësime pozitive nga ana e KE-së. Ky plan përmban 400 veprime konkrete të cilat duhet të përmbushet nga institucionet e ndryshme të Kosovës”, theksoi ajo.

Krejtësisht në fund, ministrja Çitaku para anëtarëve të komisionit parlamentar, ka sqaruar se në muajin maj pritet të jetë në Kosovë një mision verifikues nga ana e KE-së për të parë për së afërmi progresin që është arritur në nivelin komunal sa i përket procesit të ri-integrimit. “Besojmë se me këtë vizitë ne do t’i pajisim partnerët ndërkombëtarë me argumente shtesë në mënyrë që kjo të prezantohet para Këshillit të ministrave të BE-së”, tha ajo.

Ministrja për Integrime Evropiane, me këtë rast iu është përgjigjur pyetjeve të shumta që shtruan anëtarët e komisionit, për çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e kësaj ministrie.
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane