Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

, 19.04.2011




Sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar, u shqyrtua raporti vjetorë i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2010.

Për të shqyrtuar raportin e KPMM-së, në mbledhje ishin edhe drejtori i Bordit të KPMM-së, Ahmet Tmava dhe kryeinspektori i KPMM-së, Enver Breznica, të cilët dhanë sqarimet e nevojshme para anëtarëve të Komisionit.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Komisionit, drejtori i KPMM-së, Tmava tha: ” Në këtë raport jemi përpjekur që të ofrojmë pasqyrë të qartë të punës së KPMM-së, duke përshkruar në mënyrë korrekte, me të dhëna të sakta punën që është bërë gjatë vitit 2010”, tha ai. Në vijim ai i informoi anëtarët e Komisionit për sfidat dhe të arriturat e KPMM-së.

Bordi i KPMM- së gjatë vitit të kaluar ka mbajtur 29 mbledhje, në të cilat janë shqyrtuar 366 kërkesa për licencë dhe leje operimi në fushën e minierave dhe mineraleve, njoftoi Jonuzi. Duke iu referuar bashkëpunimit me institucionet tjera relevante të cilat ndikojnë në suksesin e KPMM-së, ai veçoi një memorandum bashkëpunimi të arritur në mes të komunave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përfaqësuesit e KPMM-së, me këtë rast vlerësuan se Ligji për Miniera dhe Minerale (miratuar në Kuvend vitin e kaluar), ka ndikuar në punë më efikase të KPMM-së.

Duke folur për sfidat e Komisionit për Miniera dhe Minerale, drejtori i Bordit, Ahmet Tmava, ngriti shqetësimin e tij për mos funksionimin e Agjencionit për Menaxhimin e Mallit të Konfiskuar. Ai me këtë rast dha shembuj të shumtë duke e pasqyruar me fakte veprimtarinë e operatorëve ilegalë ndaj të cilëve e vetmja masë adekuate për të parandaluar veprimtarinë e tyre do të ishte konfiskimi i makinerisë së tyre.

Në vijim, përfaqësuesit e KPMM-së u përgjigjën në pyetje që shtruan anëtarët e Komisionit.

Interesimit të shprehur në Komision se, a ka licencë eksploatimi, dhe a është e liruar nga renta minerare kompania “ Bectel- Enka”, përfaqësuesit e KPMM-së thanë se ajo nuk posedon licencë të tillë.

Në përfundim të debatit, anëtarët e Komisionit unanimisht vendosën që raportin e KPMM-së ta procedojnë tutje. Ndërkaq për plotësime eventuale do të jenë aktiv duke dhënë kontributin e tyre gjatë shqyrtimit edhe në seancë plenare.
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...