Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 20.04.2011




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, përkrahu sot katër raporte financiare për vitin 2010 të agjensioneve të pavarura që i përgjigjen Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mbledhje, e cila u kryesua nga kryetarja Safete Hadërgjonaj, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Driton Gjonbalaj dhe kryesuesi i Bordit, Avni Mazrreku, prezantuan raportin vjetor financiar të këtij autoriteti, duke potencuar progresin e shënuar gjatë vitit të kaluar buxhetor.

Ata raportuan për të hyrat dhe shpenzimet e AAC-së si dhe iu përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të komisionit.

Duke e vlerësuar si të hartuar mirë dhe konform ligjit, komisioni e përkrahu raportin dhe e procedoi për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend.

Një pasqyrë përmbledhëse financiare të vitit të kaluar për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e dha kryesuesi i Bordit, Ali Hamiti. Anëtarët e komisionit, ndërkaq, ngritën një varg çështjesh që lidheshin me përmbajtjen e raportit dhe problemet me furnizimin me energji elektrike. Ata u fokusuan edhe në problemet më rrjetin dhe faturimin, shkyçjet kolektive etj. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të tyre rreth çmimit të energjisë elektrike, Hamiti theksoi se çmimi i saj në Kosovë është ndër më të ulëtit në rajon.

Pasi u vlerësua si raport që i plotëson kushtet e përcaktuara me ligj, ai mori përkrahjen e komisionit dhe u procedua tutje në Kuvend.

Në mbledhjen e sotme, komisioni përkrahu edhe raportet vjetore financiare të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave dhe të Institutit Gjyqësor të Kosovës, të cilët u prezantuan nga drejtorët e tyre, Enis Berisha e Lavdim Krasniqi.
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa