Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve

, 27.04.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve (SHKSH), të kryesuar nga Enver Kurtalani, drejtor ekzekutiv i saj.

Përfaqësuesit e shoqatës, pasi e falënderuan kryetarin Krasniqi për pritjen, shpalosën kërkesat e tyre, të cilat kishin të bënin me përmirësimin e kushteve dhe krijimin e mundësive më të mira për këtë kategori të qytetarëve. Në mënyrë të veçantë, kërkuan që Kuvendi i Kosovës të ketë interpretues të Gjuhës së Shenjave gjatë seancave plenare.

Kryetari Krasniqi shprehu gatishmërinë për t’i ndihmuar personat e shurdhër dhe për të mbështetur çdo iniciativë e cila shërben për përmirësimin e jetës së tyre. Rreth kërkesës që Kuvendi të ketë interpretues të shenjave gjatë seancave, Krasniqi theksoi se do të bëjë përpjekje që kjo të realizohet, sepse, siç tha ai, edhe personat e shurdhër janë të barabartë me qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës.

Kreu i legjislativit konfirmoi përkushtimin e Kuvendit për t’i dhënë përkrahje këtyre qytetarëve dhe në aspektin e legjislacionit.

Në takim u tha se në Kosovë ekzistojnë rreth 15 mijë persona të shurdhër.
Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve