Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

, 27.04.2011




Në mbledhjen e sotme Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Albin Kurti, kryetar, në fillim u njoftua me kërkesën e anëtarit të komisionit z. Shaip Muja, që ka të bëjë me mbledhjen e 8 prillit, ku ishte ftuar edhe zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, për të informuar Komisionin për bisedimet Kosovë-Serbi. Z. Muja këtë kërkesë e vlerëson si një ftesë paragjykuese dhe se me këtë z. Albin Kurti keqpërdor pozicionin e tij që ia lejon Rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Po kështu, në letër i bëhen vërejtje edhe sekretarisë së Kuvendit që nuk ka reaguar rreth një komunikimi të këtillë. Z. Albin Kurti mohoi se ka keqpërdorur pozitën, dhe se në këtë komunikim ka ndonjë faj sekretaria. Pas ballafaqimit të mendimeve e qëndrimeve ndërmjet z, Kurti dhe z. Muja, që shoqëroheshin edhe me kundërpërgjigje, në debat u përfshinë edhe një pjesë e anëtarëve të Komisionit, të cilët u angazhuan për krijimin e një klime të mirë në punën e Komisionit, duke theksuar se ashtu sikurse në Ministrinë e Punëve të Jashtme që bëhen përpjekje për qëndrime konsensuale, edhe në këtë Komision duhet të mbretërojë një politikë e tillë. Për të krijuar një klimë të favorshme pune është e nevojshme që anëtarët e Komisionit të angazhohen për zbatim të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, theksonin diskutuesit.

Në vijim Komisioni kishte në rendin e ditës diskutimin për inicimin e një marrëveshjeje mes Kosovës e Shqipërisë për përfaqësim reciprok. Moto e diskutimeve të anëtarëve të Komisionit rreth kësaj çështjeje ishte domosdoshmëria e një angazhimi shumë më të madh të Kosovës për njohje të reja nga shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit, deri në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Në këtë kontekst angazhimi i Shqipërisë është dhe do të jetë me rëndësi të veçantë. Ndërkaq, kur është fjala për praktikën e përfaqësimit të një shteti nga një shtet tjetër, ashtu si dhe përfaqësimi i përbashkët, u tha se kjo është e njohur në relacionet ndërkombëtare. Në këtë vështrim Shqipëria do të përfaqësonte Kosovën atje ku kjo nuk ka ambasada, por njëkohësisht do ta përfaqësonte edhe në institucione ndërkombëtare , në të cilat Kosova ende nuk është anëtarësuar. U përmend edhe praktika e misioneve të përbashkëta, siç është rasti i Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, që do të mund të aplikohej edhe nga ana e Kosovës dhe e Shqipërisë. U tha se baza ligjore për bashkëpunim të këtillë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ekziston, por ajo mund të avancohet edhe më. Në përmbyllje të debatit anëtarët ë Komisionit u pajtuan që t’ i rekomandohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës qa ta përfshijë në strategjinë e saj të punës edhe marrëveshjen me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për përfaqësim reciprok ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës .

Pas përfundimit të këtyre pikave të rendit të ditës Komisioni vazhdoi me një takim me përfaqësues të organizatave mbështetëse të komisioneve parlamentare. Me këtë rast përfaqësuesit e NDI-së dhe UNDP-së, përkatësisht Rinor Beka dhe Ervin Ibrahimi përvijuan disa nga segmentet e bashkëpunimit ndërmjet këtyre organizatave dhe Kuvendit të Kosovës.
Mbledhja e Komisionit  për Punë të Jashtme