Lajmet e fundit

Takim i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale me ministrin e Shëndetësisë, z. Ferid Agani

, 04.05.2011




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Fikrim Damka, kishte sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, z. Ferid Agani. Tema thelbësore të këtij takimi ishin gjendja aktuale në sektorin farmaceutik të Kosovës, prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2011, çështja e vënies së rregullave në sektorin e gjithëmbarshëm të shëndetësisë me anë të ligjeve, si dhe bashkëpunimi në ndërmjet Ministrisë dhe Komisionit. Në fillim të takimit ministri i Shëndetësisë, z. Agani, dha një pasqyrë shumë të gjerë të gjendjes në shëndetësi, duke u ndalur sidomos në sektorin farmaceutik. Në këtë vështrim ministri Agani theksoi se furnizimi me barna në institucionet shëndetësore të Kosovës është tejet i dobët, me përmasa edhe alarmante, si pasojë e mungesës së mjeteve financiare, planifikimit tejet të dobët, si dhe të dukurisë së korrupsionit dhe menaxhimit në nivel të ulët. Sektori farmaceutik është larg standardeve evropiane. Kjo gjendje është pasojë edhe e mungesës së inspektimit, kur dihet se Kosova kishte vetëm 5 inspektorë, ndërsa tash ka 12 sish. Shumë sektorë të rëndësishëm, madje udhëhiqen nga ushtrues detyre. Kur është fjala për inspektoratin, z. Agani tha se funksioni i tij është stërkequr , inspektorët ndihen edhe të destimuluar për punë. Një dukuri e keqe që shoqëron shëndetësinë e Kosovës është mungesa e banderolave në barna, megjithëse tash ato janë 10 herë më të lira se më parë, si dhe dhënia e barnave pa përshkrimin e mjekut.

Brengos fakti se në institucionet shëndetësore të Kosovës ndihet mungesë e madhe e citostatikëve, megjithëse nga buxheti i Ministrisë ndahet një e katërta e mjeteve, vetëm për këto barna mjaft të shtrenjta në treg. U fol edhe për listën esenciale të barnave, e cila sipas ministrit duhet të jetë më e reduktuar, në favor të branave vitale për pacientët.

Rrugëdaljen nga kjo situatë ministri e shihte në domosdoshmërinë e hartimit dhe ndryshimit të ligjeve të lëmit të shëndetësisë, si dhe në nevojën e reformave rrënjësore në shëndetësi. Në pyetjet e deputetëve se ku është përqendruar tehu i punës së Ministrisë në reformat shëndetësore, ministri Ferid Agani tha se ndër detyrat e para është ndryshimi i organogramit të Ministrisë, i cili do të jetë i gatshëm gjatë këtij muaji. Ndërkaq, pritet që gjatë muajit qershor 3 ligje të procedohen për shqyrtim në Kuvend.Në kuadër të reformës do të punohet edhe në fushën e sigurimeve shëndetësore, si dhe sigurimin e një sistemi të integruar të informatave.
Takim i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale me ministrin e Shëndetësisë, z. Ferid Agani