Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane u takua me parlamentarët holandez
, 11.05.2011
Gjatë ditës së sotme delegacioni parlamentar nga Holanda, i kryesuar nga Znj. Gerda Verburg (CDA), kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane është takuar edhe me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri duke përshëndetur delegacionin nga Holanda fillimisht ka sqaruar angazhimet dhe kompetencat e Komisionit të cilin e përfaqëson ai.
Ai duke folur për punën e Kuvendit të Kosovës, theksoi se Kuvendi ndër të tjera ka miratuar edhe Planin e veprimit të Kuvendit për Integrim Evropian, ndërsa sqaroi se në procesin drejt integrimeve evropiane të gjithë deputetët pa dallime politike, janë të bashkuar.
“Do të mundohemi që ta shënojmë një progres edhe më të madh në Kosovë, përmes monitorimit më të madh që komisioni do ta bëjë ndaj Qeverisë dhe organeve tjera”, tha Haziri.
Me këtë rast Haziri theksoi se problemi kryesor edhe më tutje për vendin vazhdon të mbetet paqartësia në perspektivën evropiane. “Mosarritja e qartësisë për liberalizimin e vizave për Kosovën është çështje shumë serioze dhe kjo vazhdon të jetë sfidë e madhe për vendin”, theksoi Haziri. Ai po ashtu ka falënderuar shtetin e Holandës për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi gjatë procesit të lirisë, pavarësisë së saj dhe më tutje.
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë përmendur edhe dispozitat e pakos së Ahtisarit të cilat janë të përfshira në Kushtetutën e Kosovës, ndërsa theksuan se të gjitha ligjet që dalin nga Kuvendi i Kosovës janë në pajtim me standardet evropiane.
Znj. Gerda Verburg, kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane ka sqaruar para anëtarëve të Komisionit se qëllimi i vizitës së tyre është që të shohin për së afërmi se si rrjedhin gjërat në Kosovë, drejt integrimeve evropiane.
“Kemi bërë më herët një vizitë faktmbledhëse në Serbi, po ashtu do të vizitojmë edhe Shqipërinë, ndërsa qëllimi i vizitës sonë këtu është që të informohemi më për së afërmi se çfarë kanë bërë institucionet e Kosovës në përmbushjen e detyrave drejt integrimeve evropiane”, tha Verburg.
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, duke folur në vazhdimësi për procesin e liberalizimit të vizave, kërkuan mbështetjen e Holandës që Kosova të mos ketë një regjim të vizave. Ndërsa delegacioni parlamentar nga Holanda ka shtruar një varg pyetjesh për anëtarët e komisionit, me theks të veçantë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe çështja e Veriut të Mitrovicës, ndërsa parlamentarët nga Kosova kritikuan punën e EULEX-it duke potencuar faktin se ky mision nuk ka shënuar aspak progres në vend.
Anëtarët e Komisionit po ashtu shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të mëtejmë ndërmjet Holandës dhe Kosovës.