Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti të dërguarin special të BE-së për Kosovë, z. Fernando Gentilini

, 12.05.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Kosovë, z. Fernando Gentilini.

Kryetari Krasniqi, pasi e ka uruar z. Gentilini për detyrën e re në Kosovë, e ka njoftuar atë për të arriturat në Kosovë dhe ka bërë një ekspoze të punës së Kuvendit. Kreu i legjislativit ka folur për procesin e integrimit evropian të Kosovës, si e vetmja rrugë për shtetin e Kosovës, si dhe ka potencuar nevojën për liberalizimin e vizave. Mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së, Krasniqi e ka cilësuar si pengesë në rrugën e integrimit euro-atlantik të vendit.

Kryetari i Kuvendit e vuri theksin edhe te problemet që Kosova ka në veriun e saj dhe mbështetjen që Beogradi i jep atje krimit të organizuar. Përkitazi me këtë, Krasniqi vuri në dukje vendosmërinë e institucioneve të vendit për ta luftuar krimin në të gjithë hapësirën e Kosovës.

Gjatë takimit u fol edhe rreth dialogut teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, nga i cili, siç u tha, duhet të rezultojnë zgjidhje evropiane.

I dërguari special i BE-së Kosovë, Gentilini, e falënderoi kryetarin Krasniqi për pritjen dhe e përgëzoi atë për punën që është bërë në Kuvendin e Kosovës. Ai theksoi se Kosova do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të ardhmen evropiane të saj, duke potencuar, gjithashtu, se edhe liberalizimi i vizave është në agjendën e BE-së.
Kryeparlamentari Krasniqi priti të dërguarin special të BE-së për Kosovë, z. Fernando Gentilini