Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

, 12.05.2011




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Sabri Hamiti, filloi me pikën e rendit të ditës-koha për deklarime jashtë rendit të ditës. Ndërkaq, në kuadër të pyetjeve parlamentare Alma Lama shtroi pyetjen për kryeministrin Hashim Thaçi se sa është vlera e autostradës Vermicë- Merdare, punimet e së cilës i zhvillon konzorciumi “Bechtel-enka”. Duke u përgjigjur në këtë pyetje z. Thaçi tha se vlera e kontratës për autostradën Vermicë- Merdare sillet rreth 700 milionë euro.

Mbledhja pastaj vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për bashkëpunim ndërkomunal dhe partneritete. Arsyetimin për këtë Projektligj para deputetëve e bëri Slobodan Petroviq, ministër për Qeverisje Lokale, i cili theksoi se ky projektligj është i rëndësishëm për bashkëpunim ndërkomunal dhe rregullon funksionimin e partneritetit. Ndërkaq, në emër të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale, deputetët i njoftoi Idriz Vehapi, i cili tha se ky komision i rekomandon Kuvendit që të miratojë në parim këtë projektligj.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2002/5 për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme. Arsyetimin për këtë projektligj e dha Dardan Gashi, Ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, ndërsa në emër të Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor,Nait Hasani. Gjatë debatit u tha se mungesa e legjislacionit për çështjen e pronës qytetarëve të Kosovës u ka sjellë shumë vështirësi e fatkeqësi, ndaj rregullimi i avancuar ligjor i regjistrimit të pronës është me rëndësi të veçantë. U tha se ky projektligj nuk sjell implikime buxhetore, përkundrazi ai sjell të ardhura, por ato në ligjin e ri duhet të përcaktohen mirë, se sa derdhen ne fondet e nivelit lokal dhe sa në atë qendror.

Debat mjaft të gjerë nga ana e deputetëve u zhvillua edhe gjatë shqyrtimit të parë të i Projektligjit për Këshillin Ekonomik – Social, të cilin e arsyetoi në fillim Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa rekomandimet e në emër të Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, i paraqiti Fikrim Damka. Diskutuesit vunë në pah se projektligji rregullon organizimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik –Social, si dhe çështje të rëndësishme në raportin punëdhënësi,punëmarrësi ,qeveria. Vëmendja e disa diskutueseve u ndal sidomos në çështjen e raportit në aspektin e përfaqësimit të palëve që përbëjnë këtë këshill. Kërkohej që gjatë amendamentimit të këtij projektligji të sigurohet një proporcion më i favorshëm për punëtorët në Këshillit Ekonomik –Social, e jo siç është vepruar deri tash në praktikën e Këtij këshilli.

Në vijim Kuvendi shqyrtoi për herë të parë Projektligjin për organizimin sindikal në Kosovë. Duke dhënë arsyetimin për këtë projektligj, Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se ky projektligj rregullon e siguron lirinë e veprimit të sindikatës, si dhe garanton organizimin sindikal të punëtorëve sipas standardeve evropiane. Qëndrimet e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, i paraqiti kryetari i këtij komisioni. Në debatin që pasoi nga disa diskutues u shtrua nevoja që gjate shqyrtimit dhe amendamentimit të këtij projektligji duhet të merren për bazë edhe konventat ndërkombëtare që rregullojnë veprimtarinë e sindikatave, duke u mbështetur edhe në të drejtën ndërkombëtare. Ndër,vërejtjet që u dhanë ishin edhe ato që kanë të bëjnë me përcaktimin e burimeve financiare, përkatësisht të përcaktohet se nga vijnë donacionet, si dhe për nevojën e evitimit të disa gabimeve gjuhësore e teknike. Në vend të fjalës punëmarrës u propozua që të përdoret fjala punëtor.

Projektligjin për mbrojtje nga zjarri në shqyrtim të parë e prezantoi dhe e arsyetoi Bedri Hamza, ministër i Financave, i cili theksoi se ky projektligj përcakton mekanizmat mbrojtës të shkaqeve të zjarrit, ndërsa nuk përfshin lëmenjtë e zjarrfikjes dhe të shpëtimit, të cilët do të përcaktohen me ligj të veçantë. Deputeti Ibrahim Makolli, në mungesë të kryetarit të komisionit, njoftoi kuvendin se Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së ka rekomanduar që ky projektligj të miratohet në parim. Gjatë debatit në dy diskutime, bëheshin vërejtje në një pjesë të projektligjit, të cilat sipas diskutuesve, reduktojnë kompetencat e komunave, duke iu dhënë kompetenca të mëdha Agjensionit për shuarjen e zjarreve, që vlerësohej si prirje centralizimi të shërbimeve.

Shqyrtimit të parë i Projektligjit për kontabilitet, raportim financiar dhe auditimi i priu prezantimi dhe arsyetimi nga ana e ministrit të Financave Bedri Hamza. Ai theksoi se ky projektligj përbën edhe një hallkë të rëndësishme të integrimit evropian të Kosovës.

Në hartimin e këtij projektligji, theksoi ai, janë marrë për bazë rekomandimet e BE-së si dhe standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, raportimit financiar dhe auditimit. Ndërkaq, në emër të komisionit për Buxhet dhe Financa projektligjin e prezantoi , kryetarja e këtij komisioni, Safete Hadërgjonaj. Megjithëse projektligji ka shumë përmirësime nga teksti i mëparshëm, ai ka nevojë të përpunohet e përmirësohet. Duhet të përcaktohet shumë më qartë mënyra e raportimit dhe e licencimit të auditorëve., si dhe kushtet për themelimin e shoqatave të kontabilitetit.

Në kuadër të debatit u tha se ka nevojë për një përmirësim të tekstit të projektligjit, ai duhet të jetë shumë më i qartë dhe më i ngritur nga aspekti gjuhësor. Më të qarta duhet të jenë edhe dispozitat që kanë të bëjnë me raportimin financiar. Një diskutues tha se projektligji instalon burokraci dhe administrim.

Projektligjin për për Kadastër para deputetëve e prezantoi Dardan Gashi, Ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor. Ai vlerësoi se me këtë projektligj sigurohet ndërtimi i kadastrit të pronave , ngastrave banesave etj., ndërsa në emër të Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani. Ky projektligj rregullon kompetencat e Agjensionit Kadastral, menaxhimin e zyrave kadastrale duke krijuar baza të mira të menaxhimit kadastral.

Pas shqyrtimeve deputetët përkrahën në parim të shtatë projektligjet.
Mbledhja e Kuvendit