Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 18.05.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit, në të cilën morën pjesë kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Bajrush Xhemajli, si dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Mimoza Kusari-Lila. U diskutua lidhur me procesin e riatdhesimit dhe riintegrimit nëpër komuna, si dhe përfaqësimin e Kosovës në CEFTA.

Lidhur me çështjen e riatdhesimit dhe riintegrimit nëpër komuna, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, gjatë prezantimit të tij para anëtarëve të Komisionit tha se komunat e Kosovës janë të angazhuara që procesi i riatdhesimit të përfundojë me riintegrim. Ai tha se komunat kanë rol të rëndësishëm në formësimin e këtyre praktikave në shërbimet publike gjë që krijon kushte për kthim dhe riintegrim të qëndrueshëm.

Xhemajli sqaroi para anëtarëve të Komisionit se komunat e Kosovës tanimë kanë emëruar zyrtarë për riintegrim , pos komunat në Veri. Tutje, Xhemajli sqaroi se zyret komunale për komunitete dhe kthim monitorojnë gjendjen e tyre dhe raportojnë lidhur me shqetësimet e tyre tek organet përkatëse. Megjithatë ai shtoi se jo gjithherë komunat kanë mundësi që këtë proces ta përfundojnë krejtësisht, meqë ka mungesë buxhetore dhe financiare. “Në këtë kontekst komunat e Kosovës kanë qasje në fondin prej 3.5 milionë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës për riatdhesim dhe riintegrim”, sqaroi kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Bajrush Xhemajli.

Në pyetjen nëse procesi i riintegrimit bëhet në mënyrë të barabartë pa marrë parasysh komunitetin, Xhemajli tha se përparësi më e madhe iu është dhënë komunitetit serb, ndërsa shprehu shqetësimin e tij në këtë aspekt për komunitetin rom.

Më tej Xhemajli u përgjigj edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit lidhur me problematika të shumta me të cilat ballafaqohen komunat e vendit sa i përket çështjes në fjalë. Ndërsa, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri duke sqaruar se gjatë këtij muaji në vendin tonë do të jetë një mision vlerësues nga BE-ja, që të merret me inspektimin e këtij procesi, tha se marrja e notës pozitive për këtë proces do të ndikojë që Kosovës t’i hapet udha liberalizimit të vizave.

Si komision parlamentar do të mundohemi që të ndikojmë në Qeverinë e Kosovës që të ketë mundësi më të mëdha buxhetore në mënyrë që komunat t’i kryejnë detyrat e tyre, shtoi ai.

Në vijimi të mbledhjes, para anëtarëve të Komisionit raportoi edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Mimoza Kusari-Lila, e cila foli lidhur me përfaqësimin e Kosovës në CEFTA.

Gjatë prezantimit të saj, znj. Kusari-Lila sqaroi çështjen e bllokimit të lëvizjes së mallrave nga Serbia dhe Bosnja. Ajo tha se problemi kryesor ka të bëjë me tranzitin e mallrave në këto vende se sa për faktin që kemi mallra për këto vende. “Kemi një mospërfillje nga ana e Serbisë për të mos e respektuar një marrëveshje, të cilën e ka nënshkruar vet, tha me këtë rast Kusari-Lila, duke shtuar se marrëveshja e CEFTA-s dhe vula doganore kanë hyrë në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd. “Ne si Qeveri kemi prezantuar qëndrimin tonë se jemi të gatshëm të bisedojmë dhe t’ia lëmë një periudhë kohore Serbisë dhe pastaj të fillojë aplikimi i reciprocitetit”, tha Kusari. Duke u përgjigjur në pyetjen se pse CEFTA është pjesë e dialogut teknik, ajo tha se koordinimi është i qartë dhe se marrëveshja duhet respektuar nga Serbia, ndërsa vulat nuk do të ndërrohen.

Në pyetjen nëse Kosova duhet të bëjë të njejtën gjë, të mos pranojë mallra nga Serbia në rast se kjo e fundit nuk pranon mallra nga Kosova, Kusari-Lila përmendi nënshkrimin e marrëveshjes nga ana e UNMIK-ut në vitin 2006, duke shtuar: Duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën e tregut që mbizotëron në vend. Madje ajo mori shembull edhe listen e produkteve që importohen nga Serbia. Disa nga deputetët shprehën shqetësimin e tyre lidhur me përfaqësimin e Kosovës në CEFTA, duke shtuar se CEFTA nuk i kontribuon vendit. Kusari-Lila përmendi edhe faktin se për shkak të interesit ekonomik janë hequr barrierat doganore mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane