Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

, 20.05.2011




Kosovës, drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, (një pjesë u kryesua nga Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit), u shqyrtua Raporti i punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2010. Më këtë rast deputetët pasi kanë shprehur disa nga shqetësimet e tyre lidhur me korrupsionin në vend, kanë miratuar raportin, ndërsa vlerësuan se në raport janë paraqitur disa nga aktivitetet e AKK-së, mirëpo mungojnë veprimet konkrete. Ndërsa, gjatë debatit rreth Raportit të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, deputetët kanë kërkuar fuqizimin e mbikëqyrjes së punës së Qeverisë e Kosovës.

Deputetët po ashtu kanë shqyrtuar edhe Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2010. Duke e miratuar Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, deputetët vlerësuan se ky raport pasqyron tejet qartë gjendjen e furnizimit me energji elektrike në vend.

Më tej deputetët shqyrtuan dhe mbështeten unanimisht edhe Raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil, për vitin 2010, si dhe Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, për vitin 2010. Me këtë rast foli edhe ministri i Infrastrukturës, z. Fehmi Mujota. Ai ndër të tjera lavdëroi punën e këtij autoriteti, duke theksuar se po kryen të gjitha obligimet e dhëna nga Kuvendi.

Projektligji për themelimin e agjensionit për shërbimin e navigacionit është në hartim e sipër dhe në afatin tre mujor Kuvendi do të ketë mundësi ta miratojë. Sa i përket kontrollit ajror, Mujota theksoi se Kosovës do t'i kthehen shumë përgjegjësi dhe do të zgjidhet shumë shpejt kjo çështje. Ndërkaq, sa i përket Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ministri Mujota njoftoi se projektligji është i përgatitur dhe shumë shpejt do të procedohet në Qeveri dhe Kuvend.

Deputetët e Kuvendit po ashtu kanë miratuar edhe Raportin e punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2010.

Në vijim të mbledhjes së Kuvendit, deputetët debatuan edhe lidhur me bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Interpolin dhe Europolin, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, të mbështetur edhe nga deputetë të tjerë. Në veçanti u shqyrtuan rastet e ngritura në këto dy institucione ndërkombëtare nga Republika e Serbisë për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe për zyrtarët më të lartë të institucioneve tona.

Me këtë rast, deputeti Ramiz Lladrovci paraqiti arsyetimet e kërkesës për debat parlamentar, duke sqaruar fillimisht se në Kosovë ekziston një zyrë ndërlidhëse me Interpolin që udhëhiqet nga UNMIK-u, kurse në përbërje të saj janë edhe Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it. Lladrovci theksoi se qëllimi i kësaj çështje për debat parlamentar është nxitja e institucioneve relevante të Kosovës për të bërë kërkesën që Kosova të anëtarësohet në Interpol dhe Europol.

Tutje ai shtoi se interesi i vendit tonë për anëtarësim në këto institucione policore, është shumë i madh dhe në funksion të rritjes së nivelit të sigurisë në vend.

“Kërkoj të dorëzohet kërkesa për anëtarësim në Interpol sipas procedurës respektive që ka kjo organizatë e sigurisë. Për këtë duhet kërkuar edhe ndihmën e miqve tanë, BE-së dhe SHBA-së“, theksoi Lladrovci duke sqaruar më tej kushtet që kërkohen nga vendi për bashkëpunim dhe marrëveshje policore me shtete tjera.

Ai tha se për anëtarësim duhet të bëhet një kërkesë formale nga Ministria e Brendshme, ndërsa shtoi se duhet të sqarohet çështja e dosjeve të ngritura nga Serbia kundër ish -pjesëtarëve të UÇK-së dhe bartësve të saj.

''Serbia duke qenë anëtare e këtyre mekanizmave të respektuar , vazhdimisht ka manipuluar duke bërë propagandë dhe shpikje të dosjeve për qytetarët e Kosovës dhe kjo është e motivuar politikisht“, tha ai.

Deputeti Lladrovci duke përmendur faktin se shpeshherë jemi dëshmitarë të arrestimeve dhe përndjekjeve të bartësve politikë të Kosovës nga ana e Interpol-it mbi bazën e veprimeve të shtetit serb, duhet të kërkohet nga Interpol-i që mos të pranohen dosjet nga MUP-i. Lladrovci më tej sqaroi faktin lidhur me linkun e Interpol-it që do të duhej ta kishte Policia e Kosovës, ndërsa shtoi se Kosova do të jetë e anëtare e denjë e Interpol-it dhe Europol-it.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë debatit të tyre kanë përkrahur iniciativën e deputetit Lladrovci lidhur me kërkesën për anëtarësim në Interpol, ndërsa theksuan domosdoshmërinë e linkut të Interpol-it që duhet ta ketë vendi ynë, si dhe anëtarësimin sa më të shpejtë në këtë organizatë dhe kjo duhet të ndodhë me urgjencë. Kjo, sipas tyre do të ndikonte në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë në përgjithësi.

Disa nga deputetët lidhur me këtë çështje kritikuan Qeverinë e vendit, meqë institucionet relevante nuk kanë aplikuar për anëtarësim në këto organizata dhe se Kosova duhet të marrë përgjegjësitë mbi vete në fushën e sigurisë.

Duke përmendur urdhërarrestet që janë lëshuar nga Interpol-it, dosje të deponuara nga Serbia, u tha se kjo është tendencë për të njollosur luftën e UÇK-së për lirinë e vendit, ndërsa gjatë këtij debati u paraqitën rekomandime të ngjashme të deputetëve të Kuvendit për anëtarësim në Interpol dhe se bashkëpunimi me këto dy organizata është më se i domosdoshëm për vendin, ndërsa u kërkua që MPB-ja gjer në muajin qershor të njoftojë Kuvendin e Kosovës lidhur me procedurat për anëtarësim në këto organizata.

Për këtë çështje foli edhe ministri i punëve të Brendshme , Bajram Rexhepi. Ai me këtë rast tha se sfidë mbetet fletëlëshimet për arrestime nga ana e Serbisë dhe se këto janë të natyrës politike dhe si të tilla janë në kundërshtim me vetë Kushtetutën e Interpol-it. Ai tha se Europol-i nuk është institucion ekzekutiv, por më shumë koordinues. Europol-i ka marrëveshje strategjike dhe operacionale me vende të ndryshme, por për shkaqe politike nuk ka marrëveshje me vendin tonë. “Jemi duke bërë përpjekje që të instalojmë bashkëpunimin me Europol-in përmes vendeve me të cilat Kosova ka nënshkruar marrëveshje policore”, tha ministri Rexhepi duke sqaruar se janë në finalizimin e përgatitjes për hapjen e zyreve për bashkëpunim ndërkombëtar në zbatimin e ligjit, si pjesë e një projekti të përkrahur nga BE-ja.

Pas shterimit të pikës së rendit të ditës të debatit parlamentar, deputetët miratuan rekomandimet e dala nga Kuvendi, do të procedohen në Qeverinë e Kosovës.
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit