Lajmet e fundit

Tryezë e përbashkët e grave deputete dhe NDI-së

, 24.05.2011




Grupi Joformal i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), organizuan sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, një tryezë të përbashkët pune me temë:” Strategjia e demokratizimit të partive politike,”, që është një nga çështjet më parësore të Grupit të Grave Deputete. Tryezën e hapi drejtorja e NDI-së,Laura Nichols, e cila tha se është rasti që në këtë tryezë të shtjellohen praktikat më të mira nga vende të ndryshme të botës lidhur me demokratizimin e partive politike, gjithnjë duke pasur para sysh edhe interesimet e deputeteve të Kosovës. Pastaj fjalën e mori drejtorja e Programit të NDI-së për gratë në Uashington, zonja Susan Markham, e cila theksoi se NDI-ja qe 25 vjet angazhohet gjerësisht për të kthyer besimin e qytetarëve në partitë politike. Mirëpo, kjo nuk mund të bëhet pa një demokratizim të brendshëm të partive, që do të ketë reflektim te votuesit për t’ u përfshirë në aktivitetet partiake. Ndër faktorët që kanë ndikim të madh në demokratizimin e partive janë statutet e tyre, përkatësisht zbatimi i rregullave. Një element i rëndësishëm në përfshirjen më të gjerë të femrës në jetën partiake është edhe përzgjedhja demokratike e anëtarëve, theksoi ajo, sidomos transparenca, kur ka të bëjë me zgjedhjen e lidershipit.

Gjatë debatit Teuta Sahatçia, Alma Lama e Emilia Rexhepi më shumë u angazhuan rreth çështjes së përfaqësimit gjinor, duke u nisur nga kuota prej 30 për qind të grave në përbërjen e Kuvendit. U tha se gjithnjë e më shumë kjo kuotë po konsiderohet si dhuratë e madhe dhe si privilegj, ndaj mund të jetë edhe temë me rastin e ndryshimeve kushtetuese. Në tryezë u tha se është i nevojshëm një angazhim shumë më i madh i grave që kuota e 30 përqindëshit të gjejë zbatim edhe në strukturat e partisë. Krahas kësaj gratë duhet të angazhohen edhe më gjerësisht në aktivitetet e tyre për fuqizim të mëtejmë të pozitës së gruas në institucione dhe në gjithë rrjedhat shoqërore.
Tryezë e përbashkët e grave deputete dhe NDI-së