Lajmet e fundit
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 24.05.2011
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Raporti Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2010.
Në këtë takim ishin të pranishëm Ministri i Financave, z. Bedri Hamza, si dhe Auditori Gjeneral, z. Larse Lage Oloffsson, të cilët raportuan para anëtarëve të komisionit lidhur me Raportin Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2010.
Me këtë rast kryetari i Komisionit, Ali Sadriu tha se bazuar në këtë raport shihet qartë se ka një progres, duke përmendur ngritjen e kapaciteteve në sferën e legjislacionit përmes rregulloreve dhe udhëzimeve të ndryshme që qartësojnë kompetencat. Megjithatë, Sadriu tha se kjo mbetet një sfidë e mëtejmë dhe besojmë se nuk do të mungojë angazhimi për plotësimin e vakuumit, ndërsa përmendi edhe vërejtjet dhe të gjeturat në këtë raport.
Ministri i Financave Bedri Hamza paraqiti një ekspoze para anëtarëve të Komisionit lidhur me raportin vjetor për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2010. Ai tha se raporti prezanton të arriturat dhe sfidat gjatë vitit 2010 në fushën e Auditimit të Brendshëm, në nivelin qendror dhe lokal, krahasuar me vitin paraprak, aktivitetet e Njësisë Qendrore Harmonizuese të Auditimit të Brendshëm, gjetjet, konkluzionet, rekomandimet, si dhe Planit të Veprimit për vitin 2011.
Hamza numëroi disa nga të arriturat gjatë vitit 2010, në fushën e auditimit, si: hartimi i bazës ligjore për auditimin e brendshëm, aftësimi dhe trajnimi i auditorëve të brendshëm në lëmin kyç dhe profesional, rritja e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në këtë drejtim.
Hamza duke paraqitur disa indikator rreth këtyre zhvillimeve të auditimit të brendshëm në aspekte të ndryshme tha se kemi pas rritje të numrit të njësive të auditimit të brendshëm, rritje të numrit të komiteteve të auditimit, rritje të numrit të auditorëve të brendshëm, etj. ” Bazuar në raportet e marra nga njësitë e auditimit të brendshëm gjatë vitit 2010, janë kryer 364 auditime të brendshme, dhe me qëllim të përmirësimit të sistemit të kontrollit të brendshëm janë dhënë 1.987 rekomandime, prej tyre 53.33 për qind janë implementuar, 28.23 për qind janë në proces të implementimit dhe 18.42 për qind nuk janë implementuar”, theksoi Hamza duke theksuar faktin se sfidat dhe problemet në të ardhmen duhet të adresohen dhe të përmirësohen. “Për të adresuar çështjet e paraqitura rekomandojmë që të ndërmirren disa veprime gjatë vitit 2011. Menaxhmenti i subjektit të sektorit publik të plotësojë njësitë e auditimit të brendshëm me staf të nevojshëm konform planeve të tyre për auditim, bazuar në standardet ndërkombëtare dhe praktikat më profesionale”.
Hamza shtoi se auditimi i brendshëm duhet të përkrahet vazhdimisht nga menaxhmenti, duke u krijuar kushte adekuate për punë dhe pavarësi të plotë, mos kufizimin e kontratave të punës, pjesëmarrje në trajtime të organizuara, etj.
Ministri Hamza tha me këtë rast se subjektet e sektorit publik të cilat ende nuk i kanë krijuar komitetet e auditimit t’i krijojnë ato duke u bazuar në udhëzimet për krijimin dhe funksionimin e komiteteve të auditimit.
Hamza përmendi edhe faktin që duhet një përkushtim më i lartë i menaxhmentit të kontrollit të brendshëm, transparencë, llogaridhënie dhe kompetencë në menaxhimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm.
Anëtarët e Komisionit duke e përkrahur raportin Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2010, vlerësuan se raporti është i kompletuar, ndërsa theksuan se nevojitet rritja e auditorëve në organizatat buxhetore, duke kërkuar pavarësi të auditorëve të brendshëm, si dhe krijimin e më shumë komiteteve për auditim, ndërsa kërkuan që të implementohen të gjitha rekomandimet të cilat akoma nuk janë implementuar.