Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri i Dhomës së Deputetëve të parlamentit çek

, 01.06.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim një delegacion nga Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës Çeke, të kryesuar nga kryetari këtij komisioni, z. Frantisek Bublan.

Duke iu uruar mirëseardhje, kryetari Krasniqi i falënderoi deputetët çekë për mbështetjen që vendi i tyre ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën si dhe për njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës. Më tej, Krasniqi shprehu gatishmërinë dhe dëshirën për avancimin e marrëdhënieve bilaterale midis parlamenteve të vendeve tona dhe uroi që ky takim të ndikojë në avancimin e këtyre raporteve.

Ai në vazhdim i njoftoi mysafirët për përbërjen dhe punën e Kuvendit, posaçërisht, në miratimin e ligjeve sipas standardeve evropiane. Kreu i legjislativit njoftoi ata edhe për problemet në veri të vendit si dhe për pengesat nga bandat e ndryshme serbe që po u bëhen qytetarëve serbë, të cilët janë të interesuar për t’u integruar në jetën institucionale të Kosovës. Krasniqi foli edhe për raportet e mira me shtetet fqinje, me përjashtim të Serbisë, si dhe për dialogun me Beogradin, nga i cili ende nuk ka ndonjë rezultat konkret. Ai u ndal në procesin e liberalizimit të vizave dhe pengesat që i vijnë Kosovës si pasojë e mos njohjes nga të gjitha vendet e BE-së.

Kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës Çeke, Frantisek Bublan, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen, theksoi se arsyeja e vizitës në Kosovë është shkëmbimi i përvojave midis dy parlamenteve. Ai bëri të ditur se Çekia është e interesuar për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, ngjashëm siç është e interesuar edhe për vendet tjera të Ballkanit perëndimor.

Njohja e Kosovës nga Çekia, theksoi Bublan, është mbështetja më e mirë për Kosovën në rrugën për integrime evropiane. Ai siguroi që edhe në të ardhmen Çekia do të mbështes Kosovën në procesin e njohjeve dhe në atë të integrimit evropian.
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri i Dhomës së Deputetëve të parlamentit çek