Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 02.06.2011




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës e ka shqyrtuar sot Kornizën Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) për vitet 2012-2014, të cilën para deputetëve e prezantoi ministri i Financave, Bedri Hamza.

Në mbledhjen, të cilën e udhëhoqi zëvendëskryetari i parë i komisionit, Naser Osmani, ministri Hamza tha se KASH-i nuk është dokument statik dhe si i tillë, mund të rifreskohet në proces. Ai dha një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike gjatë vitit 2010 dhe planifikimeve për vitet që mbulon kjo kornizë. Hamza iu përgjigj edhe shqetësimeve të ngritura nga ana e deputetëve lidhur me qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raport me Kosovën, duke theksuar se Kosova nuk i ka humbur paratë nga FMN-ja, por dhënia e tyre vetëm është prolonguar.

Pas diskutimeve, Korniza u procedua për shqyrtim të mëtejshëm në Kuvend.

Ministri Hamza, para deputetëve prezantoi edhe Konventën për Themelimin e Këshillit Bashkëpunues Doganor, e cila mori përkrahjen e deputetëve me rekomandimin që të ratifikohet në Kuvend.

Në vazhdim, Komisioni përkrahu raportin vjetor financiar të Komisionit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2010, të cilin e prezantoi kryetari i këtij autoriteti, Osman Ejupi.

Anëtarët e Komisionit përkrahën në parim edhe Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia ndaj palëve të treta dhe atë për Akcizën në Produktet e Duhanit, ndërsa konstatuan se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shoqëritë tregtare dhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akreditimin, me raporte të komisionit funksional, nuk kanë implikime financiare. Projektligjet u proceduan për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend.
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa