Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 03.06.2011
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi, ( pjesë të mbledhjes i kryesuan edhe nënkryetarët Xhavit Haliti e Sabri Hamiti) , filloi me pikën e rendit të ditës-koha për deklarime jashtë rendit të ditës, për të vazhduar pastaj me pyetje parlamentare, në të cilat u përgjigjën ministrat Bajram Rexhepi,Besim Beqaj, Nenad Rashiq, Bedri Hamza, Fehmi Mujota,Dardan Gashi, si dhe zëvendëskryeminstrja Mimoza Kusari-Lila.
Ndërkaq , në vijim të mbledhjes filloi shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin e Ligjit nr. 03/l-047 për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, të cilin para deputetëve e prezantoi zëvendëskryeministri , Bujar Bukoshi. Gjatë shqyrtimit u përkrah ky Projektligj, me të cilin njihet edhe komuniteti malazez , si dhe ai kroat. Me këto përcaktime këtyre komuniteteve do t’ iu jepet mbrojtje adekuate kushtetuese, që do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi e Kroacisë. Glauk Konjufca në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtoi aprovimin e këtij Projektligji, duke e vlerësuar si të papranueshëm. Ai tha se përkrah barazinë e komuniteteve sipas Konventës Ndërkombëtare, por jo kështu si është rregulluar me këtë Projektligj, i cili sipas tij është punuar me shpejtësi në bazë të Planit të Ahtisarit. Pas debatit deputetët e miratuan në parim këtë Projektligj.
Në vazhdim të mbledhjes u shqyrtua për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 02/L-8,për verërat, të cilin para deputetëve e paraqiti, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Deputetët gjatë debatit përkrahën këtë Projektligj, duke theksuar se me këtë vihet në një pozitë shumë më të favorshme prodhimtaria e rrushit dhe e verës. Propozohej që verës si prodhim shoqëror t’ i hiqet akciza. Pas përfundimit të debatit, deputetët e miratuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 02/L-8,për verërat.
Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palëve të treta, në shqyrtim të parë, e prezantoi Bedri Hamza, ministër i Financave, i cili tha se kjo materie deri tash ishte e rregulluar me rregullore, ndërkaq me këtë Projektligj ndërtohet sistemi i sigurimit të detyrueshëm. Në mbështetje të Projektligjit parashihet të formohet Byroja Kosovare e Sigurimit , e cila do t’ i raportojë Bankës Qendrore. Po kështu, do të formohet edhe Fondi i Kompensimit të dëmshpërblimit. Projektligji në tërësi është në pajtim me standardët evropiane. Ndërkaq, në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, për këtë Projektligj foli kryetarja e këtij Komisioni,Safete Hadërgjonaj, e cila tha se Projektligji krijon bazën ligjore dhe mekanizma që u ofrojnë palëve mbrojtje nga dëmtimet. Projektligji nuk përmban implikime buxhetore. Në debatin e gjerë deputetët dhanë edhe propozime e vërejtje të ndryshme në funksion të begatimit të tij gjatë shqyrtimit të mëtejmë. Pas diskutimit deputetët njëzëri e miratuan në parim këtë Projektligj.
Shqyrtimin e parë të Projektligjit për akcizën në produktet e duhanit e hapi Bedri Hamza, ministër i Financave, i cili duke folur për rëndësinë e këtij Projektligji tha se me këtë Projektligj inkasimi i akcizës rregullohet në pajtim me direktivat e Bashkimit Evropian. Gjatë debatit u tha se Projektligji ka një strukturë të mirë e të qëndrueshme dhe u jep zgjidhje shumë problemeve në menaxhimin e akcizës, por në procesin e mëtejmë të shqyrtimit e amendamentimit ka nevojë për disa përmirësime, në mënyrë që ai të jetë sa më cilësor e në funksion të prodhuesve dhe importuesve të duhanit. Në përfundim të debatit deputetët miratuan në parim Projektligjin për akcizën në produktet e duhanit.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për përdorim civil të eksplozivëve filloi pas prezantimit dhe arsyetimit të tij nga ana e Bajram Rexhepit, ministër i Punëve të Brendshme,i cili theksoi se Projektligji përcakton mirë kushtet dhe kriteret e përdorimit të eksplozivëve, duke përfillur edhe standardet evropiane ne këtë fushë.Ndërkaq, rekomandimet e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, para deputetëve i prezantoi deputeti Anton Quni. Në kuadër të debatit u tha se ky ligj është shumë i nevojshëm, meqë rregullon një materie nga e cila përdoruesit mund të kenë pasoja të rënda. Nga diskutuesit u bënë disa vërejtje për paqartësi të disa neneve, që do të mund të evitohen gjatë shqyrtimit të mëtejmë. Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin.
Duke prezantuar në vijim Raportin për funksionimin e sistemit të Auditimit të Brendshëm në sektorin Publik të Kosovës, për vitin 2010, ministri i Financave Bedri Hamza, tha se në sistemin e Auditimit të Brendshëm janë arritur rezultate të mëdha sa i përket përformancës së përgjithshme , si: hartimi i bazës ligjore,ngritja e bashkëpunimit ndërinstitucional, shtimi i auditorëve të brendshëm etj., që reflektohen pozitivisht në qeverisjen sa më të mirë të parasë publike. Ali Sadriu, kryetar i Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, tha se ky Komision ka vlerësuar se në këtë Raport është shënuar progres, ndërsa këtë e tregon edhe fakti se janë bërë 364 auditime. Në vijim ai tha se është e nevojshme që të sigurohen më shumë auditorë, sidomos në komunat më të mëdha, ndërsa njësi auditimi duhet të formohen edhe në komunat dhe në ministritë e reja.Në këtë mbledhje në bazë të rekomandimit të Organit Përzgjedhës anëtar i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, u zgjodh Osman Kryeziu.
Kuvendi përkrahu propozimin e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, për emërimin e deputetes Suzana Novoberdali, në vend të deputetit Ibrahim Makolli, në Komisionin Parlamentar për Ndryshime Kushtetuese.