Lajmet e fundit

Kuvendi mbajti mbledhje komemorative për deputeten e ndjerë, Nekibe Kelmendi

, 20.06.2011




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje komemorative për deputeten e ndjerë, Nekibe Kelmendi. Deputetët kanë nderuar, me një minutë heshtje, deputeten e të katër legjislaturave. “Kësaj radhe Kuvendit do t’i mungojë fjala e urtë e Nekibe Kelmendit. Ajo shkoi në amshim pa mbaruar jo vetëm mandatin që ia dhanë zgjedhësit, si përfaqësuese e tyre, pa i mbaruar angazhimet, por edhe pa e mbaruar jetën”, ka theksuar në fjalën e tij para deputetëve kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili kryeson edhe Këshillin e varrimit për deputeten e ndjerë.

Në vazhdim Krasniqi ka folur për kohët tepër të vështira të represionit në shkallë të gjerë që po ushtrohej në Kosovë, kur “ Nekibe Kelmendi, bashkë me të shoqin, Bajram Kelmendi, mbronin të drejtat individuale dhe kolektive të qytetarëve tanë dhe bënin të njohur gjithandej në botën demokratike gjendjen e rëndë pas suprimimit të autonomisë së vendit tonë, më 1989”. Ai ka përkujtuar me këtë rast edhe kontributin e Nekibe Kelmendit për vendosjen e themeleve të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në emër të LDK-së, në mbledhjen komemorative për deputeten e ndjerë ka folur nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti. “Zonja Nekibe Kelmendi, themeluese dhe drejtuese e lartë e LDK-së, si dhe deputete në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i ka përmasat e personalitetit politik rugovian. Kjo nënkupton filozofinë nacionale, politike dhe humane”, ka theksuar Hamiti, duke përkujtuar rrugën e saj të mundimshme për: “LIRINË, PAVARËSINË DHE DEMOKRACINË E KOSOVËS”.

Duke përkujtuar rolin shumëdimensional të së ndjerës në shoqërinë e Kosovës, Hamiti ka përfunduar se Nekibe Kelmendi “u bë avokate (mbrojtëse) e të drejtave njerëzore e nacionale të shqiptarëve”, duke shtuar se ajo “u bë përfaqësuese ekselente e popullit të vet, legjislatore e pashoqe, duke punuar dhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës së pavarur”.

Pas përfundimit të mbledhjes komemorative deputetë dhe përfaqësues të institucioneve në hollin e Kuvendit bënë homazhe para arkivolit të së ndjerës dhe ngushëlluan familjen Kelmendi.
Kuvendi mbajti mbledhje komemorative për deputeten e ndjerë, Nekibe Kelmendi