Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 21.06.2011
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare ka miratuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 23 qershorit.
Pas pikave të rëndomta të seancave të rregullta të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për nisma legjislative (i bartur nga seanca e 16.6.2011), kurse në vazhdim do të shqyrtojë për herë të dytë pesë projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/18 për tregtinë e brendshme, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-123 për shoqëritë tregtare, Projektligjin për shërbimet e sigurisë private,Projektligjin për efiçiencën e energjisë dhe Projektligjin për gjendjen civile.
Kryesia e ka mbështetur Rekomandimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri, për procedimin e Plani Kombëtar të shpërndarjes së spektrit radiofrekuencor, kurse ka vlerësuar se ky rekomandim, sikurse edhe ai i Komisionit për Punët të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë për procedimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënëve Personale, i plotëson kushtet që të radhitet për miratim në seancën e Kuvendit.
Kryesia e ka mbështetur edhe rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës, në bazë të Qarkores së parë të Ministrisë së Financave 2011/01, duke i rekomanduar kësaj ministrie që këto kërkesa t’i përfshijë në linjat buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2012.