Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
, 23.06.2011
Megjithëse raportimi i ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, në Komisionin për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve, ka zgjatur dy orë të plota, është përfunduar vetëm një pjesë e agjendës së takimit, kurse për shkak të obligimeve të tjera të ministrit takimi ka mbetur të zhvillohet edhe në një mbledhje tjetër të Komisionit.
Ministri Hoxhaj fillimisht ka dhënë një pasqyrë të kompleksitetit që ngërthen njohja e Republikës së Kosovës, për shkak të historisë së shtetndërtimit të veçantë e që lidhen edhe me mosanëtarësimin e Kosovës në OKB dhe me keqpërdorimin nga regjimi i Beogradit të bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai me këtë rast kishte sjellë në Komision edhe Strategjinë për njohjet sa më të shumta të Kosovës, duke premtuar se deri në shtator MPJ do të ketë dhe Strategjinë e politikës së jashtme të Kosovës. Ministri ka theksuar kontributin e gjerë të njohjeve, duke e përfshirë jo vetën angazhimin e MPJ-së, të presidentit, të kryeministrit e të zv.kryeministrave, por edhe të grupit për lobim, diplomacinë parlamentare, kontaktet e partive politike të Kosovës etj. Ai, ndërkaq, ka theksuar se bashkëpunimi i tij me faktorë të tjerë të politikës së Jashtme në Kosovë është shumë i mirë.
Të gjithë anëtarët e Komisionit kanë shtruar pyetje të shumta që kishin të bënin me ngecjen e procesit të njohjeve, organizimin e Shërbimit diplomatik të Kosovës dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë, ndërkaq kryetari i këtij komisioni, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, ka qenë tepër kritik për sa i përket funksionimit të punëve të jashtme në Republikën e Kosovës.
Duke u përgjigjur ministri Hoxhaj ka theksuar punën e madhe që po bën ministria e tij dhe krerët e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe miqtë e jashtëm, për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. Ai madje ka pohuar se MPJ e ka hartuar listën e vendeve shteteve të botës të cilat kanë shprehur vullnetin ta njohin Kosovë, vendet që kanë qëndrim pozitiv për vendin tonë, ato që kanë qëndrim neutral, si dhe ato që nuk duan ta njohin, apo edhe që punojnë kundër Kosovës dhe afirmimit ndërkombëtar të vendit tonë.
Në një takim tjetër të Komisionit ka mbetur që ministri Hoxhaj të raportojë edhe për organizimin dhe efikasitetin e Shërbimit diplomatik të Kosovës, si dhe për monitorimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin diplomatik të Kosovës.