Lajmet e fundit

Grupi i grave deputete priti përfaqësues të Bundestagut të Gjermanisë

, 24.06.2011




Grupi i grave deputete të Kuvendit të Kosovës, të prira nga kryetarja Teuta Sahatçija, e shoqëruar nga deputetja Alma Lama e Donika Kada-Bujupi,  pritën sot përfaqësues të  Bundestagut Gjerman.  

Duke iu uruar mirëseardhje, znj.Sahatqija fillimisht i njoftoi mysafirët për angazhimin e grave deputete në Kuvendin e Kosovës, për iniciativat e tyre në afirmimin e të drejtave të grave dhe sfidat në realizimin e qëllimeve që kanë ato.

Lidhur me këtë, kryetarja e Grupit të grave deputete, znj. Sahatqija, i njoftoi mysafirët se Kuvendin e Kosovës e përbëjnë 120 deputetë, nga të cilët dyzetë nga ata janë gra.

Ajo më tej sqaroi se sipas Ligjit për zgjedhjet i cili aktualisht është në fuqi, pjesëmarrja në Kuvend e grave është e garantuar në kuotën prej 30%. Por, shtoi znj. Sahatqija, Kosova është duke ndërtuar një infrastrukturë të re ligjore lidhur me zgjedhjet, andaj angazhimet e grupit tonë janë që të ruhet kuota e përfaqësimit dhe shtimi i saj. Lidhur me këtë, ajo njoftoi mysafirët se janë formuar dy komisione parlamentare për amendamentimi e Ligjit për zgjedhje dhe për ndryshimet kushtetuese. “Në të dyja komisionet janë të përfaqësuara edhe gratë, sepse reformat zgjedhore dhe kushtetuese do të përcaktojnë rolin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në vendimmarrje”, tha Sahatqija.

Ndërkaq, deputetja Donika Kada- Bujupi, në fjalën e saj u fokusua në objektivat që synon të arrij Kosova. ”Qëllimi ynë, i burrave e grave në Kosovë, është anëtrësimi në familjen e madhe të BE-së”, tha ajo. Bujupi me këtë rast shprehu edhe falënderimin e saj për interesimin dhe ndihmën që ka trguar Gjermania ndaj Kosovës në të gjitha proceset e deri tashme.

Anëtarja tjetër e Grupit të grave deputete, Alma Lama, ndërkaq, duke iu referuar përvojës së mëhershme si gazetare, vuri në pah se situata e rëndë ekonomike në Kosovë është duke gjeneruar probleme të shumta. Për fat të keq, vazhdoi Lama,  për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike zë vend edhe dhuna në familje. Ajo më tej shtoi se në këto raste, gruaja është ajo që bart pasojat më të rënda të kësaj gjendje. Edhe deputetja Lama falënderoi Gjermaninë, për siç tha ajo: ”Qëndrim realist ndaj realitetit ballkanik”.

Nga ana tjetër, Inge Hoger, në emër të delegacionit nga Gjermania, duke falënderuar nikoqiret për pritjen e ngrohtë që iu bë nga ana e tyre, foli për qëllimin e vizitës. “ Dëshironim të dimë se si janë të organizuara gratë në Kosovë dhe si u shkon puna si deputete”, tha  znj.Hoger. Në Gjermani, vazhdoi ajo, s’ka grup të caktuar të grave ne Bundestag, ato përfaqësohen në kuadër të partive përkatëse, tha ajo. Përfaqësuesja e Bundestagut, Hoger, u pajtua me konstatimin se gjendja ekonomike gjeneron probleme të shumta, dhe shtoi se ky është problemi më i madh që ka aktualisht Ballkan. Në vijim, znj. Hoger inkurajoi gratë deputete për punë këmbëngulëse në krijimin e kushteve për jetë më të mirë të gruas në Kosovë. “ Keni bërë punë shumë të madhe dhe vazhdoni të avanconi të drejtat tuaja si dhe rolin tuaj në vendimmarrje”, tha përfaqësuesja e Bundestagut Gjerman, Hoger.

Gjatë ditës së sotme grupi i grave deputete të Kuvendit të Kosovës, do ta vizitojnë SOS Fshatin e fëmijëve në Kosovë.

Grupi i grave deputete priti përfaqësues të Bundestagut të Gjermanisë