Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete vizituan SOS Fshatrat e Fëmijëve
, 27.06.2011
Me rastin e javës së SOS Fshatrave dhe me qëllim të ngritjes së vetëdijes së shoqërisë sonë për të mbrojtur dhe përkrahur fëmijët pa përkujdesje prindërore, Grupi i Grave Deputete realizoi një vizitë në këto fshatra për të parë mënyra se si të përkrahën fëmijët e braktisur dhe ata pa përkujdesje prindërore në Kosovë.
Me këtë rast, deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, patën rastin të dëgjojnë më shumë për këtë kategori të shoqërisë duke u fokusuar më shumë në aspketin e infrastrukturës ligjore.
Nezahat Salihu, Drejtore Kombëtare e SOS Fshatrave të Fëmijëve të Kosovës, në fjalimin e saj hyrës u është drejtuar deputeteve: "Këta fëmijë nuk janë vetëm të SOS-it, por të gjithë Kosovës", duke kërkuar që ato të jenë zëri i SOS-it në Parlament.
Gjatë prezantimit janë prekur edhe disa çështje që i përkasin ligjeve, të cilat janë në fuqi dhe të cilat rregullojnë shumë aspekte të përkujdesjes së fëmijës.
Një ndër ligjet që kërkohet nga deputetët për ndryshim dhe plotësim është edhe Ligji mbi të Ardhurat e Koorporatave, sepse ai nuk inkurajon kompanitë që të japin donacione për qëllime humanitare, pasi atyre me këtë rast nuk ju jepet ndonjë lehtësim.
Po ashtu si ligje të rëndësishme të kësaj fushe janë përmendur edhe Ligji për Vullnetarë dhe Ligji për Sponozorizim.
Teuta Sahatçiu, kryetare e Grupit të Grave Deputete, duke ju drejtuar punëtorëve të SOS-it tha : "Puna juaj nuk është e lehtë, kjo punë duhet të përkrahet nga institucionet e vendit dhe si deputetë do të punojmë për të rregulluar problemet të cilat u paraqiten e që kanë të bëjnë më fëmijët e braktisur" .
Me moton "PAK NGA JU VLEN SHUMË PËR MUA" SOS Fshatrat e Fëmijëve kanë filluar javën e fushatës tradicionale për ngritjen e vetëdijes së shoqërisë dhe mbledhjen e fondeve, që do të zgjasë prej datës 23 deri më 29 qershor 2011.
SOS Fshati i Fëmijëve në Kosovë vepron që nga viti 1999. Deri më sot, përmes katër projekteve, SOS Fshatrat e Fëmijëve janë përkujdesur për rreth 1000 fëmijë të braktisur dhe në rrezik për braktisje.