Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 28.06.2011




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka miratuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 30 qershorit.

Pikë e parë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë interpelanca e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për Autostradën, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Rreth kësaj pike është diskutuar gjatë sepse nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka kërkuar që interpelanca të mbahet javën e ardhshme, me arsyetimin se në seancën e së enjtes do të mungojnë shumë deputetë, të cilët gjenden për vizita zyrtare jashtë vendit. Shumica e pjesëmarrësve në këtë takim, ndërkaq, kanë kërkuar që interpelanca të mbahet dhe kështu është vendosur.

Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për dizajnin industrial, Projektligji për patenta, Projektligji për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera dhe Projektligji për Markat Tregtare. Do të shqyrtohet edhe Raporti i punës së Komisionit të Ndihmës Juridike, si dhe propozimi i Komisionit Ad-Hoc parlamentar për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.

Kryesia është njoftuar për vizitën zyrtare në Kroaci të Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës, ndërkaq informatën mbi pengesat në përmbushjen e misionit kushtetues të Institucionit të Avokatit të popullit, Kryesia ua ka deleguar Komisionit për Legjislacion dhe Komisionit për Buxhet dhe Financa, për t'ia përgatitur raportin me rekomandime.

Kryesia ka shqyrtuar edhe disa kërkesa të komisioneve parlamentare dhe të grupeve të deputetëve për udhëtime jashtë vendit.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit