Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion
, 01.07.2011
Në kuadër të kompletimit të legjislacionit që mbulon fushën e drejtësisë penale, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka mbajtur sot dëgjim publik, në të cilin është diskutuar për Projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Përfaqësues të institucioneve shtetërore e të organizatave joqeveritare, si dhe anëtarë të komisionit, të pranishëm në këtë dëgjim publik, kanë diskutuar gjerësisht rreth përmbajtjes së këtij projektligji, si dhe kanë dhënë vërejtje e sugjerime rreth neneve të caktuara të tij.
Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit, Lidhjes së Juristëve të Kosovës, NDI-së e KDI-së, gjatë diskutimeve të tyre, janë fokusuar në çështjet që kishin të bënin me koston financiare të projektligjit, kohën e hyrjes në fuqi, llojet e veprave penale, masat mbrojtëse të dëshmitarëve e nene të tjera specifike të projektligjit.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Bedri Bahtiri, theksoi se ky projektligj është i paraparë në sfidat e dala nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian dhe është hartuar në bashkëpunim me gjyqtarë e prokurorë, dhe Njësinë për mbrojtjen e dëshmitarëve në kuadër të EULEX-it.
Kryetari i komisionit, Arben Gashi, i vlerësoi të rëndësishme vërejtjet dhe sugjerimet e të pranishmëve, të cilat, siç tha ai, komisioni do t'i marrë parasysh gjatë fazës së amendamentimit të projektligjit.
Anëtarë të tjerë të komisionit, projektligjin e konsideruan të një rëndësie të veçantë për drejtësinë në Kosovës, i cili brenda vetes përmban standardet ndërkombëtare penale.