Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion
, 04.07.2011
Me qëllim të përmbushjes së detyrave të përcaktuara me planin e veprimit të Kuvendit për integrime evropiane për vitin 2011, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari Arben Gashi, ka mbajtur sot dëgjim publik, në të cilin, pyetjeve të komisionit iu janë përgjigjur përfaqësuesit e institucioneve të fushës së drejtësisë.
Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Shërbimit Korrektues, e Agjencisë Kundër Korrupsionit, si dhe anëtarë të komisionit, kanë diskutuar gjerësisht për këto çështje: funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë, funksionimin e gjykatave në veri të Kosovës, rekomandimet nga njësia për auditim gjyqësor, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në nivel komunal, hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, krijimin e mekanizmave për përcjelljen e hetimeve, padive, ndjekjeve penale dhe dënimet, për të siguruar transparencë rreth rasteve të korrupsionit, për korrupsionin në institucionet e arsimit dhe të shëndetësisë, në mënyrë që të krijohen kushtet për formimin e mekanizmave shtetërorë për luftimin e tij dhe për të vendosur funksionimin e sistemit të kontrollit dhe të balancës, si dhe për përshpejtimin e procedurës për harmonizimin e ligjeve për fyerje dhe për falje me Kodin Penal dhe me standardet ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Bedri Bahtiri, theksoi se është synim i ministrisë që të ketë një sistem unik të drejtësisë në Republikën e Kosovës, obligim ky që derivon nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përderisa, sipas tij, po bëhen përpjekje maksimale për shtrirjen e autoritetit të institucioneve vendore edhe në veri të vendit.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se sistemi gjyqësor në Kosovë është duke funksionuar sipas parametrave të paraparë nga KGJK-ja, por potencoi se problemi i Mitrovicës është i veçantë, i cili, sipas tij, i ka tejkaluar kompetencat e Këshillit Gjyqësor. Ai foli në detaje për sfidat dhe problemet e gjyqësorit, të cilat kanë të bëjnë me veriun e vendit.
Kryetari i komisionit, Arben Gashi, shtroi nevojën e një analize të gjerë për sistemin e tërësisht gjyqësor në Kosovë dhe për funksionimin e Këshillit Gjyqësor në tërësi.
Sa i përket ekzekutimit të vendimeve gjyqësore në nivel komunal, kryetari i KGJK-së, Peci, tha se janë identifikuar problemet që kanë të bëjnë me efektshmërinë e sistemit të përmbarimit të lëndëve civile në Kosovë. Sipas tij, shënimet statistikore tregojnë që në të gjitha gjykatat janë afër 100 mijë raste civile që paraqesin përmbarim, por tha se fillimi është premtues.
Bedri Bahtiri nga Ministria e Drejtësisë, tha se në vazhdën e rritjes së efikasitetit të përmbarimit të lëndëve, MD-ja planifikon që brenda këtij viti ta ndryshojë dhe plotësojnë Ligjin për procedurën e përmbarimit.
Në vazhdim të dëgjimit publik, anëtarë të Komisionit për Legjislacion e të komisioneve të tjera, si dhe përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë, diskutuan edhe për çështjet tjera, të ngritura nga komisioni, duke shfaqur përkushtimin për avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.