Lajmet e fundit

Takim i grave deputete me ekspertë evropianë

, 06.07.2011




Bordi i Grupit të Grave Deputete, i kryesuar nga kryetarja Teuta Sahatqija, kishte sot një takim me ekspertë të Komisionit Evropian, ICO-së dhe të OSBE-së, gjatë të cilit u bisedua rreth reformës zgjedhore, shikuar nga vështrimi i pjesëmarrjes së gruas në zgjedhje dhe përfaqësimit të tyre në institucionet e vendit. Në fillim të takimit ekspertët Nikolai Vulchanov dhe Karin Marmsoler nga Komisioni Evropian, folën për praktikat e ndryshme të zgjedhjeve në vende të ndryshme evropiane e botërore, duke iu referuar edhe konventave ndërkombëtare mbi zgjedhjet dhe barazinë gjinore. Ata paraqitën alternativa të ndryshme sa i përket aplikimit të listave të hapura dhe listave të mbyllura, si dhe kuotës së përfaqësimit të grave në përbërjen e Kuvendit.

Ne debatin e gjerë që pasoi pas këtyre fjalëve, si kryetarja, ashtu edhe anëtaret e Bordit, theksuan se kanë qenë të gjata e këmbëngulëse përpjekjet dhe aktivitetet e grave për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare, e në këtë kuadër edhe të përfaqësimit sa më të denjë të gruas në Kuvend dhe institucione të tjera të vendit. Diskutueset ishin për lista të hapura dhe ruajtjen e kuotës së 30 përqindëshit, por njëkohësisht kërkonin që gratë të kenë hapësirë sa më të gjerë, që me votën e drejtpërdrejtë të sigurojnë vend në parlament. Këto rezultate të arritura, të cilat Kosovën e bëjnë lider në rajon, janë arritur me shumë mund, ndaj edhe duhet të ruhen, theksonin ato. Mirëpo, vërejtjet e tyre kishin të bënin më hapësirën që duhet t' iu jepet femrave në të gjitha proceset, si: në fushatën zgjedhore, në media etj.,ku vazhdimisht mbizotërojnë meshkujt, sidomos liderët. Theksohej se në procesin zgjedhor në Kosovë nuk është problem kuota, por mënyra se si mbahen zgjedhjet. Në këtë frymë diskutueset kërkonin një mbikëqyrje më të madhe të procesit zgjedhor nga ana e institucioneve përkatëse, në mënyrë që të evitohen parregullsitë dhe manipulimet gjatë zgjedhjeve. Në këtë vështrim nuk janë problem listat e hapura apo të mbyllura dhe as kuota, por çështje është se a po zhvillohen zgjedhjet në pajtim me dispozitat ligjore ne fuqi, përkatësisht sa janë ato imune nga parregullsitë.

 

Takim i grave deputete me ekspertë evropianë