Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 08.07.2011




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, (një pjesë e seancës u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit, z. Sabri Hamiti) pas shterimit të pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta plenare të Kuvendit të Kosovës, çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët kanë shqyrtuar për herë të parë tri projektligje.

Gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për përgjegjësinë e personave juridik për vepra penale, zv/kryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë z. Hajredin Kuçi ka prezantuar para deputetëve këtë projektligj duke theksuar fillimisht se ky projektligj rregullon përgjegjësinë e personave juridik për vepra penale. "Ky projektligj synon që në mënyrë të plotë të rregullojë çështjet si në aspektin material të përgjegjësisë penale të personave juridik edhe në aspektin procedural, duke paraparë rregullat e procedurës penale gjatë zhvillimit të procedurës kundër personave juridik, të pandehurve dhe sanksionet penale të cilat mund t'u caktohen atyre", tha me këtë rast ai.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha po ashtu se Projektligji për përgjegjësinë e personave juridik për vepra penale, do të paraqet një risi në legjislacionin e Kosovës dhe miratimi i tij do të jetë një sukses në mënyrë që të luftohet kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas diskutimit të tyre kanë përkrahur në parim Projektligjin për përgjegjësinë e personave juridik për vepra penale, si dhe Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, të cilin po ashtu e prezantoi para deputetëve të Kuvendit, zv/kryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi.

Në vijim të mbledhjes deputetët kanë shqyrtuar edhe Projektligjin për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, të cilët kanë shpalosur vërejtje të ndryshme rreth neneve të këtij projektligji.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji, ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi tha se për arsimin parauniversitar në vend ka pasur ligje, të cilat janë treguar jofunksionale deri më tani. Andaj, ministri Rexhepi duke folur për rëndësinë e këtij projektligji dhe duke kërkuar miratimin e tij nga ana e deputetëve tha se me këtë projektligj synohet të bëhen ndryshime dhe reforma në sistemin mësimor.

Deputetët pasi paraqitën disa nga shqetësimet e tyre rreth të miturve në vend, shpalosën rekomandime të ndryshme, duke kërkuar që disa nga rekomandimet e tyre të rregullohen gjatë amandamentimit nëpër komisionet përkatëse.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar dhe përkrahur edhe Raportin vjetor të përformances me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2010, ndërsa kërkuan që Auditorit t'i sigurohet pavarësia politike dhe financiare.

Deputetët e Kuvendit po ashtu u njoftuan se me vendim të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, është bërë zëvendësimi i deputetit Sasha Rashiq, i cili është përzgjedhur zv/ministër i Punëve të Brendshme. Deputet i ri i Kuvendit të Kosovës nga radhët e SLS-së është Milivoje Stojanoviq.

 

Mbledhja e Kuvendit të Republikës së KosovësMbledhja e Kuvendit të Republikës së KosovësMbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës