Lajmet e fundit

Një delegacion nga administrata e Kuvendit vizitoi Parlamentin e Bullgarisë

, 13.07.2011




Në kuadër të angazhimeve për hulumtimin e praktikave sa më të mira që rregullojnë fushëveprimtarinë e Zyrës për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, një delegacion nga administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Ismet Krasniqi, sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, së bashku me zyrtarë të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) në Kosovë, të udhëhequr nga Laura Nichols, drejtoreshë përfaqësuese e NDI-në në Kosovë, më 7 dhe 8 korrik, i ka bërë një vizitë zyrtare Parlamentit të Bullgarisë.

Vizita është realizuar me mbështetje të NDI-së, ndërsa qëllim kryesor i saj ishte njohja për së afërmi me punën dhe mënyrën e funksionimit të Zyrës së Shtypit dhe Marrëdhënieve me Publikun në Parlamentin bullgar.

Gjatë vizitës në këtë institucion, zyrtarët e Kuvendit të Kosovës kanë zhvilluar takime me udhëheqësit e kësaj zyreje, gjatë të cilave morën informacione të detajuara për mënyrën e funksionimit të saj, raportet me mediat dhe gazetarët e akredituar në parlament, komunikimin parlamentar në internet, marrëdhëniet me publikun, vizitat arsimore dhe programet e tjera në Parlamentin e Bullgarisë. Delegacioni i Administratës së Kuvendit vizitoi edhe Qendrën Informative dhe Administrative të Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë dhe u takua me përfaqësues të zyrës së teknologjive të komunikimit.

Një takim i veçantë u zhvillua ndërmjet sekretarëve të përgjithshëm të të dy parlamenteve, Ismet Krasniqi dhe Ivan Slavchov. Gjatë këtij takimi u shkëmbyen informacione për punën në të dy dyja parlamentet respektive, me theks të veçantë në fushën e raporteve dhe bashkëpunimit me mediat. Për të thelluar më tej bashkëpunimin në këtë drejtim, z. Krasniqi e ftoi z. Slavchov për një vizitë në Kuvendin e Kosovës, me mundësi të nënshkrimit të një memorandumi, nëpërmjet të cilit zyrtarët për media në Kuvendin e Kosovës do të kishin mundësi të përfitonin nga përvoja bullgare në këtë fushë.
Ndërkaq, përkundër ftesës që iu është bërë disa përfaqësuesve të mediave të Kosovës për të qenë pjesë e kësaj vizite, në mënyrë që të njihen nga afër me praktikën bullgare të rregullimit të raporteve me mediat, ata nuk iu përgjigjën asaj.