Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

, 14.07.2011




Bazuar në kërkesën e Grupit Parlamentar të LDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe të AAK-së, debutetët e Kuvendit të Kosovës, sot në një mbledhje të jashtëzakonshme zhvilluan debat parlamentar lidhur me dialogun e Qeverisë të Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë si dhe marrëveshjet e arritura në këtë dialog.

Në këtë mbledhje të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi Xhavit Haliti, nënkryetar i parë i Kuvendit), fillimisht folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët shfaqën qëndrimet e subjekteve përkatëse.

Lidhur me këtë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, vlerësoi se platforma e bisedimeve s'është e pregaditur mirë, andaj shprehu skepticizmin e tij lidhur me përfundimin e tyre. Në vijim, Beqiri tha se marrëveshjet e arritura, të cilat prezantohen nga Qeveria si konkluzione të marrëveshjes, degradojnë përfaqësimin shtetëror të Kosovës në bisedime. Për më shumë, Beqiri, vlerësoi se nëse kemi të bëjmë vetëm me konkluzione, ato s'paraqesin marrëveshje ndërshtetërore. Duke iu referuar këtij konstatimi, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, vijoi se çfarëdo marrëveshje me Serbinë, duhet ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në fund të ekspozes së tij, Beqiri në emër të LDK-së, bëri thirrje që të pezullohen bisedimet me Serbinë nën arsyetimin e mungesës së platformës së mirëfilltë të bisedimeve.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndërkaq, paraqiti opinion krejtësisht tjetër. Konkluzionet, tha ai, janë hap teknik që ndikojnë drejtëpërdrejtë në jetën më të mirë të qytetarëve. Rëndësinë që kanë bisedimet për Kosovën, Grabovci e pasqyroi me pyetjen se: a duhet edhe më tej Kosova të tolerojë humbje doganore dhe struktura paralele, dhe shtoi se marrëveshjet e arritura me Serbinë kanë për qëllim ndryshimin e realitetit në favor të shtetit të Kosovës. Ai, me këtë rast falënderoi qëndrimin e administratës Amerikane, përkatësisht, zv.sekretarin e shtetit Xho Bajden për qëndrimin dhe përkrahjen e procesit tw bisedime me Serbinë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Grupit Parlamentar VV, Visar Ymeri, fillimisht kujtoi se sa herë bisedohet me Serbinë ndodhin debate. Ai në vijim tha se e rëndësishme është përmbajtja, e jo forma e marrëveshjeve të arritura. Visari në vijim tha se pamvarësishtë se marrëveshjet s'janë të nënshkruara, ato obligojnë Kosovën për implementimin e tyre. Edhe Ymeri, duke paraqitur qëndrimin e VV-së, bëri thirrje për ndërprerje të bisedimeve me Serbinë. "Përderisa Serbia se njehë shtetësinë e Kosovës, dhe nuk e ndryshon kushtetutën e saj ku Kosovën e konsideron si pjesë të sajën, me të nuk duhet biseduar", tha Ymeri.

Qëndrim kritik ndaj bisedimeve me Serbinë, paraqiti edhe përfaqësuesi i AAK-së, Ardian Gjini. Nga bisedimet, sipas Gjinit, do të përfitojë vetëm Serbia. Me dialogun, vazhdoi ai, Serbia do të fillojë procesin e integrimit në BE dhe do të përfitojë nga fondet monetare ndërkombëtare. Duke e konsideruar të dëmshëm dialogun me Serbinë për qytetarët e Kosovës, Gjini vlerësoi se ato nuk qojnë drejtë njohjes nga ana e Serbisë.

Në vijim të mbledhjes, përfaqësuesi i AKR-së, Gzim Kelmendi dhe ai i SLS-së, Petar Miletiq, u shprehën në favor të dialogut dhe kërkuan transparencë më të madhe nga ana e Qeverisë.

Lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, dhe opinionet e paraqitura nga ana e deputetëve, foli edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai, duke e konsideruar në interes të qytetarëve debatin e sotëm, fillimisht falënderoi deputetët për angazhimin e tyre, dhe vazhdoi së elaboruari rrjedhën e deritashme të bisedimeve.
Lidhur me këtë, kryeministri tha se Qeveria e Kosovës është përcaktuar qartë në përqafimin e vlerave demokratike. Dhe në vazhdën e kësaj, vazhdoi kryeministri, është duke rrjedhur edhe dialogu teknik me Serbinë. Thirrjen e disa deputetëve për ndërprerje të bisedimeve me Serbinë, kryeministri Thaçi e quajti thirrje për izolim të Kosovës dhe kërkesë për prishje të raporteve miqësore me SHBA-të dhe BE-në. Kryeministri, edhe me këtë rast, përkujtoi duke thënë: "Angazhimet e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë, mbështeten në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe përkrahen nga BE-ja dhe SHBA-të". Duke folur për qëllimin e dialogut, kryeministri tha se ai ka për qëllim rregullimin e jetës së qytetarëve dhe raportet ndërshtetërore. Në vijim, kryeministri sqaroi se procesi i bisedimeve ecën paralelisht me procesin integrues evropian. Ndërkaq, duke folur për platformën e bisedimeve, e cila u kritikua shumë nga deputetët e opozitës, kryeministri tha se ajo u është e njohur të gjithëve. Po ashtu, ai shprehu gatishmërinë që platforma e bisedimeve të diskutohet edhe më tutje dhe të plotësohet me propozime konkrete.

Në vijim, ai edhe me këtë rast i siguroi deputetët se s'do të ketë bisedime lidhur me rregullimin e brendshëm, sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës. Kryeministri, po ashtu potencoi se bisedimet me Serbinë zhvillohen edhe mbi bazën e Planit të presidentit Ahtisari, për të cilin tha se ka qenë i pranuar nga të gjitha partitë. Lidhur me këtë, kryeministri Thaçi shprehu habinë për transformimin e qëndrimit të disa partive lidhur me këtë plan. Kjo nxiti reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i së cilës tha se VV as një herë nuk e ka pranuar Planin e presidentit Ahtisari, dhe s'do ta pranojë atë duke e konsideruar të dëmshëm për Kosovën.

Edhe zv. kryeministrja dhe udhëheqësja e delegacionit kosovar në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri tha se, dialogu do të konsolidojë interesat e shtetit dhe kërkoi bashkëpunim të pozitës dhe opozitës karshi interesave nacionale.

Mbledhja vazhdoi me debate, ku përfaqësuesit qeveritarë theksonin sukseset dhe nevojën e dialogut, përderisa blloku opozitar e kritikonte ashpër atë dhe kërkonte pezullimin e tij.

Pas debatit, deputeti Ismet Beqiri, në emër të të tria grupeve parlamentare( LDK, AAK, VV), të cilët edhe kishin siguruar nënshkrimet për mbledhje të jashtëzakonshme, kërkoi që të hidhet në votim propozimi për ndërprerje të bisedimeve me Serbinë. Pas kësaj, deputetët me shumicë votash të të pranishmëve hodhën poshtë propozimin e ngritur në fund të mbledhjes.

 

Nga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e Kuvendit