Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Arsim...
, 19.07.2011
Drejtorë të shumtë të Departamenteve Komunale të Arsimit(DKA), dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve publike e private të arsimit, morën pjesë në debatin e sotëm publik organizuar nga Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me NDI-në. Të pranishëm në këtë debat ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit Shkencës e Teknologjisë (MASHT).
Kryetari i Komisionit, Idriz Vehapi, fillimisht foli për qëllimin e këtij takimi. Ai me këtë rast tha se për nxjerrjen e një ligji sa më adekuat për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, bashkëpunimi me faktorët që kanë qasje të drejtpërdrejtë në këtë fushë, do të ndihmojë në nxjerrjen e një ligji që do tu përgjigjet nevojave të arsimit në Kosovë.
Drejtori i Shërbimit për Hulumtime Parlamentare (NDI), Bardhyl Hasanpapaj, ndërkaq, edhe me këtë rast theksoi gatishmërinë për hulumtime dhe studime përkatëse në fushën e arsimit me qëllimi të amendamentimi të një ligji sa më të mirë. Ai, në vijim shprehu besimin se pjesëmarrja e sotme e drejtorëve të DKA-ve, do të ndikojë në formulimin e amendamenteve të duhura për të rregulluar në mënyrë sa më të mirë fushën e arsimit në Kosovë, edhe në mënyrë ligjore.
Përfaqësuesi i ministrisë nga ana e tij tha se janë të vetëdijshëm që s'kanë arritur që në Projektligjin për arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës të përfshihen të gjitha, por, ai shprehu bindjen se këtë do ta arrijnë së bashku në bashkëpunim të ngushtë me faktorët relevant të kësaj fushe.
Në vijim, opinionet e veta i paraqitën përfaqësuesit e DKA-ve. Drejtori i DKA-së në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, pati vërejtje në nenin 1, përkatësisht në pikën shtatë të tij, i cili ka të bëjë me edukatën fetare në shkolla. Ai, po ashtu paraqiti vërejtje edhe në nenin 17, pikën 1 dhe 2 që formulon të drejtat e prindërve si dhe Rregulloret e Punës së Shkollave. Nexhmi Rudari, drejtor i DKA-së në Podujevë, nga ana e tij u angazhua që ligji të formulohet në atë mënyrë që të jetë i kuptueshëm dhe i lehtë për tu zbatuar në jetën e përditshme nga punonjësit e arsimit. Edhe drejtori i Shkollës Fillore Private "Zenit", Jonuz Salihaj, duke u pajtuar me kolegët e tij, paraqiti vërejtjet lidhur me projektligjin. Projektligji, tha Jonuzi, paraqet ndryshim të thellë në reformat e arsimit, por, vazhdoi ai, me ligjin e ri duhet siguruar sistem unik të arsimit në Kosovë. Më tej, Jonuzi shprehu shqetësimin lidhur me faktin që në disa shkolla, Historia Kombëtare Shqiptare nuk është në plan programet arsimore, dhe kërkoi që kjo të sanksionohet me ligj. Edhe përfaqësuesi i DKA-së nga Komuna e Rahovecit, kërkoi që ligji për këtë nivel të arsimit të saktësojë përgjegjësitë personale të kryetarit të komunës dhe të drejtorit të DKA-së. Në vijim të debatit, të pranishmit vlerësuan se ligji duhet të saktësojë edhe statusin e punonjësve të arsimit: janë apo jo shërbyes civil, u shprehën ata. Drejtorët e DKA-ve, po ashtu rekomanduan që për gjendjen shëndetësore të punonjësve të arsimit, mendimin duhet dhënë një komision shëndetësor, e jo mjeku i pavarur, siç parasheh aktualisht projektligji.
Në përmbyllje të debatit, kryesuesi i grupit punues për amendamentimin e Projektligjit për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, Ramë Vataj, vërejti se rekomandimet e paraqitura gjatë debatit, janë po thuaj identike me ato që grupi punues ka identifikuar, e të cilat u vërtetuan gjatë debatit. Ai më tej shtoi se këto vërejtje në formë amendamentesh do t'i propozohen Komisionit para se projektligji të procedohet për në Kuvend. Vataj, në vijim foli edhe për amendamentet tjera që do të propozohen në Komision, ku me këtë rast përmendi inspektoratin pedagogjik dhe atë administrativ, uniformën e nxënësve në shkolla, që edukimi parashkollor të jetë i obligueshëm, si dhe kodi i etikës dhe mirësjelljes nga ana e mësimdhënësve. Të gjitha këto, tha Vataj duhet sanksionuar qartë me dispozita ligjore.