Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 19.07.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mori pjesë ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, i cili raportoi para anëtarëve të komisionit lidhur me angazhimet në përgjithësi të ministrisë të cilën e përfaqëson ai.

Temë diskutimi gjatë këtij takimi ishte menaxhimi i integruar i kufijve, riatdhesimi dhe riintegrimi i personave të kthyer, azili dhe migrimi, regjistri civil, bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me KFOR-in, EULEX-in, UNMIK-un dhe institucionet tjera të vendit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe rreth gjendjes në pjesën veriore të Mitrovicës dhe gjendjen e sigurisë në përgjithësi në vend, çështje për të cilat ministri Rexhepi iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane.

Duke paraqitur qëndrimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës, ministri Rexhepi, sa i përket menaxhimit të integruar të kufijve tha se është shënuar një progres i dukshëm. Ai tha se grupi punues po ashtu ka përfunduar ndryshimet e ligjit për menaxhimin e integruar të kufirit dhe kontrollit të kufirit.

Ministri Rexhepi ndër të tjera ka përmendur edhe faktin se vitin e kaluar policia kufitare e ka marrë përgjegjësinë nga KFOR-i sa i përket kufirit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, ndërsa me Malin e Zi pritet që gjatë muajit shtator përgjegjësia të kalojë po ashtu nga KFOR-i në duar të policisë së vendit. Ndërsa sa i përket kufirit me Serbinë, ai tha se gjatë pjesës së dytë të vitit të ardhshëm pritet të bëhet edhe demarkacioni.

Gjatë këtij takimi, duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarëve të Komisionit rreth kontrabandimit të mallrave, ministri Rexhepi tha e tashmë është shtuar dukshëm regjistrimi i hyrjeve-daljeve në kufi, si dhe po bëhet regjistrimi i kamionëve me mallra të ndryshme, dhe është zvogëluar në masë të dukshme kontrabandimi.

Sa i përket riintegrimit ministri Rexhepi tha se deri më tani janë arritur marrëveshje me 14 shtete dhe gjer në fund të vitit do të përmbyllen gjithsej 20 marrëveshje të nënshkruara për ripranim, kryesisht me shtetet ku ka numër më të madh të qytetarëve të cilët nuk e kanë të rregulluar statusin legal të qëndrimit.

Ndër të tjera ministri Rexhepi informoi se ka filluar kampanja informuese për qytetarët e cila do të jetë kampanjë afatgjate në mënyrë që qytetarët të informohen drejtë se koha e azilit politik dhe ekonomik ka përfunduar dhe mos të bien viktima të agjensive të ndryshme turistike.

Ai po ashtu njoftoi anëtarët e komisionit se bashkë me EULEX-in kanë filluar disa arrestime të disa personave të cilët kanë kryer keqpërdorime të tilla me agjensione të ndryshme turistike.

Në pyetjen e anëtarëve të komisionit se kur pritet të jetë në vend misioni vlerësues i komisionerit të Punëve të Brendshme, ministri Rexhepi tha se do të insistohet që më së largu gjer në muajin shtator të vijnë dhe të bëhet vlerësimi duke shpresuar që raporti I KE-së do të jetë pozitiv.
Sa i përket gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës, Rexhepi theksoi se pas sulmeve të atëhershme që janë bërë në gjykatën e këtij vendi tha se çështja rreth kësaj është komplekse, por nëse krahasohet me vitin e kaluar tashmë ka më shumë kapacitete që e bëjnë sigurinë më të mirë, duke theksuar se janë të gatshëm si ministri që nëse kërkohet ta bëjnë përcjelljen dhe sigurinë e objektit dhe stafit të gjykatës. Megjithatë ai tha se çështja e sigurisë nuk duhet të jetë arsyeja kryesore për mosfunksionim të gjykatave në këtë vend.
Sa i përket shkarkimit të disa zyrtarëve të lartë policor në veri të Mitrovicës, Rexhepi tha se policia duhet ta respektojë zingjirin komandues dhe jo të jenë nën ndikimin e MUP-it,..
Ndërsa, lidhur me udhërrëfyesin për vizat, ministri Rexhepi tha se nuk preferon të jap ndonjë datë se kur mund të ndodh kjo.
Ndërsa ai ka folur edhe për bashkëpunimin që MPB ka me KFOR-in duke e vlerësuar lartë përkrahjen e tyre.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e komisionit kanë shqyrtuar dhe përkrahur këto projektligje: Projektligji për organizimin sindikal në Kosovë , Projektligji për Kontabilitet,Raportim Financiar dhe Auditim, Projektligji për Markat Tregtare, Projektligji për Patenta, Projektligji për Dizajnin industrial, Projektligji për përdorimin Civil të Eksplozivëve,si dhe Projektligji për Kadastër, të gjitha këto me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane