Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
, 20.07.2011
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga Arben Gashi, kryetar i Komisionit, u shqyrtuan dhe u përkrahën dy projektligje: Projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve me amendamentet e propozuara nga grupi punës, si dhe Projektligji për ndihmë juridike falas, me amendamentet e propozuara nga grupi i punës.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit po ashtu formuan një grup pune lidhur me Projektligjin për nisma legjislative, ndërsa gjatë shqyrtimit të parë përkrahën edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përfitimin e ish zyrtarëve të lartë, si dhe Projektligjin për mbrojtjen e informatorëve.
Më tej anëtarët e komisionit gjatë mbledhjes së sotme kanë përkrahur edhe tetë raporte me amendamentet e komisioneve funksionale të këtyre projektligjeve: Projektligjit për Dizajnin industrial, Projektligjit për Përdorim Civil të Eksplozivëve, Projektligjit për Markat Tregtare, Projektligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Projektligjit për Patenta, Projektligjit për Kadastër, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Verërat, si dhe Projektligjit për Ndihmën Shtetërore.