Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Arsim...

, 20.07.2011




Për të pasur një pasqyrë reale për zbatueshmërin e Ligjit për qasje në dokumente publike, Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, organizoi sot dëgjim publik. Idriz Vehapi, duke paraqitur qëllimin e këtij dëgjimi të organizuar nga Komisioni që ai udhëheqë tha: "Me këtë dëgjim publik, Komisioni ka për qëllim të informohet mbi çështjet e adresuara lidhur me zbatueshmërin e Ligjit për qasje në dokumente publike".Në vijim, Vehapi shtoi se Kuvendi në përgjithësi, dhe Komisioni në veçanti, duhet të arrijnë në konkludimin e saktë se sa është duke u zbatuar ligji.

Në këtë dëgjim publik, përveç anëtarëve të Komisionit morën pjesë edhe përfaqësues të: Gjykatës Kushtetuese dhe asaj Supreme, Instituti Kosovar për Demokratizim (IDK), GAP-it, ATRC-së, Lëvizja "Fol", Agjencioni Kosovar i Biznesit (AKB), BIRN-i, dhe përfaqësuesi i Komunës së Gjilanit.

Edhe kryesuesi i grupit punues për monitorimin e këtij ligji, Sadri Ferati, njoftoi se Komisioni ka formuluar planin praktik për monitorimin e këtij ligji, në kuadër të të cilët është edhe dëgjimi i sotëm publik. Dëshirojmë të dëgjojmë opinionet e juaja lidhur me zbatimin e Ligjit për qasje në dokumente publike para se grupi punues të bëjë raportin përfundimtar, tha Ferati. Ai, po ashtu bëri të ditur se implementimi i plot i këtij ligji është obligim i dalë edhe nga Raporti i Progresit të KE-së për Kosovën.

Në vijim, përfaqësuesi i GAP-it, Agron Ademi, dha opinionin e tij lidhur me ligjin dhe implementimin e tij. Ndonëse ligji është miratuar para gjashtë muajve, tha Ademi, gjendja në praktik rreth kësaj fushe nuk ka ndryshuar. Sipas tij, komunat nuk kanë caktuar persona përgjegjës për trajtimin e kërkesave të qytetarëve për qasje në dokumente zyrtare. Duke iu referuar një sondazhi të bërë nga GAP-i, Ademi tha se nga 168 institucione të kontaktuara nga ana e tyre, vetëm Komuna e Prizrenit ka Veb faqen e komunës me mundësi qasje në dokumente zyrtare.

Kushtrim Kaloshi nga ATRC-ja, ndërkaq vlerësoi se ligji ka shprazëtirë rreth kualifikimit të dokumenteve në të cilat qytetarët duhet pasur qasje, dhe të atyre që janë konfidenciale. Po ashtu, Kaloshi ishte i mendimit, sikurse përfaqësuesi i GAP-it, se komunat nuk kanë Veb faqe në përputhje me ligjin. Përfaqësuesja e BIRN-it, Flutura Kuasari, nga ana e saj vuri në pah se komunat ende nuk kanë emëruar personelin që do të trajtonte kërkesat e qytetarëve për të cilat ligji u siguron qasje. Ajo më tej bëri vërejejtje në formulimin e ligjit ku flet për dokumentet në të cilat qytetari mund të ketë qasje. Sipas saj, në dispozita ligjore do duhej të sigurohej qasja e qytetarëve në informacion brenda 24 orëve, kurse qasja në afat më të shkurtër nga ai që është paraparë në dokumente zyrtare.

Ndonëse ishin të ftuar përfaqësuesit e shumë komunave, në këtë debat mori pjesë vetëm përfaqësuesja e Komunës së Gjilanit, Fatushe Haliti.

Ajo njoftoi se komuna ka themeluar Zyrën Ndërlidhëse dhe Qendrën për Shërbim të Qytetarëve, institucione këto që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në implementimin e ligjit.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lëvizjes "Fol", Armend Mazreku, vuri theksin mbi mungesën e zyrave të informimit në komuna dhe institucionet tjera. Ai, po ashtu vlerësoi se ligji ka mangësi rreth përcaktimit të dokumenteve në zyrtare dhe në ato publike.

Lidhur me këtë, kryesuesi i grupit punues për monitorimin e ligjit, Sadri Ferati, tha: "Dokument publik është ç'do dokument zyrtar, në të cilin qytetari ka të drejtë qasje në të".

Në përmbyllje të këtij debati, kryetari i Komisionit, Idriz Vehapi, kërkoi nga të pranishmit që vërejtjet dhe rekomandimet të dërgohen me shkrim në grupin punues, në mënyrë që Komisioni të ketë mundësi të bëjë një raport sa më real lidhur me implementimin e këtij ligji.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Arsim...