Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
, 22.07.2011
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdim të mbledhjes së sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), ka miratuar në parim tri projektligje.
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke e prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, theksoi se nevoja për nxjerrjen e këtij ligji qëndron në përmbushjen e obligimeve kushtetuese, në forcimin dhe pavarësimin e funksionimit të institucioneve. Ai tha se me ndryshim-plotësimin e ligjit, në kategorinë e zyrtarëve të lartë, hyjnë edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-Prokurori i Shtetit.
Pas diskutimeve nga ana e deputetëve, Kuvendi e miratoi në parim këtë projektligj.
Projektligji për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit dhe Projektligji për rregullimin e tokës, u prezantuan nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila. Gjatë prezantimit, ajo foli në aspekte të përgjithshme për këto dy projektligjeve, duke i cilësuar ato të një rëndësie të veçantë.
Deputetët i miratuan në parim këto projektligje, duke kërkuar nga komisionet përkatëse që brenda afat të përcaktuar t'ia prezantojnë Kuvendit raportet me rekomandime.
Raporti i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vitin 2010, iu nënshtrua debatit nga ana e deputetëve të Kuvendit, të cilët dhanë vlerësime të ndryshme sa i përket përmbajtjes së tij dhe procesit zgjedhor të cilin e mbulon raporti. Pas shterjes së diskutimeve, Kuvendi nuk e miratoi këtë raport.
Në vazhdim të mbledhjes, deputetja Time Kadriaj prezantoi raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për duhanin, i cili u miratua nga deputetët e Kuvendit.
Në mbledhjen e sotme, Kuvendi i njoftua edhe me disa ndryshime nëpër komisione dhe grupe parlamentare.