Lajmet e fundit

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane vizituan Institucionin e Avokatit të Popullit

, 25.07.2011




Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë vizituar sot Institucionin e Avokatit të Popullit, me ç‘rast u takuan me Avokatin e Popullit, z. Sami Kurteshin, si dhe bashkëpunëtorët e tij.

Anëtarët e Komisionit të përbërë nga deputetët Vjosa Osmani, Alma Lama, Blerta Deliu-Kodra dhe Albert Kinolli, u informuan për së afërmi lidhur me problemet që i ka pasur ky institucion gjatë ushtrimit e funksionimit të vet, si dhe me sfidat aktuale. Me theks të veçantë u diskutua për tri elemente shqetësuese që janë ngritur në një letër të këtij institucioni drejtuar institucioneve të vendit, veçanërisht për gjetjen e një objekti të përshtatshëm ku do të vendosej ky institucion, meqë objektin ku është i vendosur tani duhet ta lirojnë gjer në fund të këtij muaji.

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, deputetja Vjosa Osmani theksoi se Raporti i Progresit i vitit 2010 ndër kritikat kryesore në fushën e sundimit të ligjit e ka përmendur mosfunksionimin si duhet të këtij institucioni për shkak të ndërhyrjeve politike dhe mos gjetjes së fondeve që do të siguronin një funksionim të këtij institucioni në mënyrë të pavarur, e po ashtu edhe moszbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e institucioneve përkatëse.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë këtij takimi theksuan se meqë Avokati i Popullit është një institucion që ka rëndësi të madhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore që ju garantohen qytetarëve me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi, me theks të veçantë gjykatat dhe Qeveria e Kosovës duhet t'i japin rëndësi të madhe zbatimit të menjëhershëm të rekomandimeve që vijnë nga ana e Avokatit të Popullit.

Anëtarët e Komisionit gjatë këtij takimi theksuan se si komision parlamentar do të kërkojnë që gjendja në këtë institucion të ndryshohet për të mirë.

Po ashtu u theksua se do të shikohet mundësia e një iniciative legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Avokatit të Popullit.

Komisioni për Integrime Evropiane e ka detyrë të drejtpërdrejtë që ta qojë këtë punë përpara, meqë është sfidë që përmendet në Raportin e Progresit dhe nëse nuk funksionojnë si duhet institucionet për të drejta e njeriut, atëherë ky fakt na kthen mbrapa në rrugën drejt Evropës, u tha gjatë këtij takimi.

Më tej disa nga anëtarët e komisionit theksuan se Institucioni i Avokatit të Popullit është lënë pas dore dhe se këtë çështje do ta ngritin në Kuvend, ndërsa u theksua se këtij institucioni po i cenohet e drejta e ushtrimit të detyrës në mënyrë të pavarur.

Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, theksoi se shqetësimet e këtij institucioni i janë drejtuar edhe Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka përshëndetur bashkëpunimin me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane.

"Ne do të vazhdojmë t'i ngrejmë shqetësimet tona, të cilat i kemi shprehur përmes një raporti drejtuar institucioneve të vendit, veçanërisht për gjetjen e një hapësire për punë, pagat e bashkëpunëtorëve, si dhe mosplotësimin e kërkesave për shtimin e stafit", tha me këtë rast z. Kurteshi, duke vënë në pah besimin e tij se do të bëhet një iniciativë ligjore për ndryshimin e Ligjit të Avokatit të Popullit.

 

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane vizituan Institucionin e Avokatit të Popullit