Lajmet e fundit

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua me ministrin Zhvillimit Ekonomik

, 26.07.2011




Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë që kanë te rinjtë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, realizoi një takim me ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, z. Besim Beqaj, takim ky i cili kishte për qëllim edhe njohjen më nga afër të këtij grupi me planet që ka kjo ministri lidhur me kyçjen dhe rolin e të rinjve në zhvillimin ekonomik.

Fillimisht kryetarja e këtij grupi, deputetja Ganimete Musliu, falënderoi ministrin për kohën që ka ndarë për këtë takim dhe gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me deputetët e rinj. Ajo gjithashtu foli për arsyen e këtij takimi të përbashkët duke e parë si nevojë për të marrë informacione nga kjo ministri lidhur me angazhimin e te rinjve në sektorin e zhvillimit ekonomik.

Ministri Beqaj duke e parë si shumë të rëndësishme këtë iniciativë, për informimin e deputetëve të këtij grupi, prezantoi fushëveprimtarinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Ai tha se kjo ministri harton politika dhe strategji për zhvillim e gjithëmbarshëm ekonomik, mbështet zhvillimin e ekonomisë së tregut, liberalizimin e tregut në shërbimet publike dhe futjen e kapitalit privat në atë publik, kryeson Komisionin Ministror për Ndërmarrje Publike dhe përgatit debatin në Qeveri lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Ndërmarrjet Publike, etj. Në këtë komision ndërministror marrin pjesë gjashtë ministri, Ministria e Financave, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Energjisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Ai gjithashtu foli edhe për funksionimin e brendshëm të kësaj ministrie. Kjo ministri përbëhet nga pesë departamente: Departamenti i Energjisë, Departamenti i Minierave, Departamenti i Strategjive, Standardeve dhe Statistikave, Departamenti i Administratës Qendrore si dhe Departamenti Ligjor. Projektet me të cilat po merret aktualisht kjo ministri janë projekti për privatizimin e PTK-së si dhe ai për privatizimin e rrjetit të distribucionit dhe furnizimit me energji.

Ndërsa Burim Ramadani, deputet e anëtar i Bordit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj tha se si deputetë te rinj në moshë, ky grup në këto takime me ministri që i prekin edhe problemet e të rinjve, janë të karakterit lobues duke i hequr barrierat partiake me këtë rast, duke dhënë edhe një mesazh për perspektivë tek të rinjtë.

Ministri Beqaj gjithashtu u propozoi anëtarëve të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj që, duke i marrë shembull disa shtete joanëtare të BE-së të cilat marrin pjesë në punimet e seancat e Parlamentit Evropian, një gjë të tillë ta bëjnë edhe këta, si përfaqësues tonë edhe si prezencë fizike. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë që, nëse është e nevojshme, të ketë takime te rregullta njëherë ose dyherë në muaj me Grupin Parlamentar të Deputetëve të Rinj për t'i informuar për planet e kësaj ministrie në vazhdimësi.

Në pyetjen e deputetit Jeton Svirca se me privatizimin e rrjetit të distribucionit dhe furnizimit me energji a do të ketë rritje apo ulje të çmimit të energjisë, ministri Beqaj tha se kjo nuk ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në rritje apo ulje mirëpo varet nga investimet në kapacitetet gjeneruese.

Ky takim ky ishte në vazhdimësinë e takimeve që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj është duke realizuar me ministritë që kanë lidhje me fushëveprimtarinë e këtij grupi.

Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua me ministrin Zhvillimit Ekonomik