Lajmet e fundit

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

, 26.07.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2010. Në këtë takim morën pjesë Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, drejtori ekzekutiv i Institucionit të Avokatit të Popullit, z. Jashar Kastrati, si dhe përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Pasi prezantuan raportin në fjalë përfaqësues të ZAP-it, para anëtarëve të komisionit u përgjigjen edhe përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me disa nga shqetësimet e ngritura nga anëtarët e komisionit bazuar në raportin e auditimit, me theks të veçantë rreth donacioneve të jashtme dhe atyre vendore, regjistrimit të pasurisë, dorëheqjes së tre zyrtarëve në këtë institucion, si dhe mungesës së Auditorit të Brendshëm në këtë institucion.

Me këtë rast Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit në të kaluarën ka trashëguar donacione për të cilat ai nuk ka qenë i informuar nga menaxhmenti i kaluar dhe ky fakt sipas tij është zbuluar pas publikimit të raportit të auditimit, në vitin 2010.

z. Kurteshi theksoi se këto donacione të cilat ekzistojnë që nga viti 2005 nuk ka pasur mundësi të shfrytëzohen si duhet, ndërsa tashmë është bërë një kërkesë për riaktvizimin e këtyre donacioneve dhe se ky institucion do t'i shfrytëzojë brenda qëllimeve që janë të parapara.

Pas një diskutimi të gjatë rreth të gjeturave në këtë institucion nga ana e ZAP-it, anëtarët e komisionit e përkrahën raportin në fjalë, i cili mund të procedohet me tej në Kuvend, ndërsa u kërkua nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit, që brenda një periudhe tre mujore të sjellin një raport në Komision.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Komisionit shqyrtuan dhe përkrahën edhe raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2010, me ç‘rast pyetjeve dhe shqetësimeve të anëtarëve të komisionit iu përgjigjën përfaqësues të KRPP-së.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike