Lajmet e fundit
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 27.07.2011
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i Komisionit, u shqyrtua raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal "Hidrodrini", për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2010, në të cilin takim morën pjesë përfaqësues të kësaj kompanie, si dhe përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Pasi përfaqësuesit e ZAP-it dhanë disa sqarime rreth këtij raporti të auditimit, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime edhe nga përfaqësues të KUR "Hidrodrini", lidhur me të gjeturat e auditorit në këtë kompani, veçanërisht rreth rritjes së shpenzimeve të vitit 2010, krahasuar me vitin paraprak, rritjes së borxheve, humbjes së ujit, dhe parregullësive tjera, bazuar në raportin e auditimit. Me këtë rast u theksua se ka pasur planifikim jo të mirë të shpenzimeve.
Anëtarët e Komisionit, pasi shprehën shqetësimin e tyre rreth të gjeturave në këtë kompani nga ana e ZAP-it, e përkrahën raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal "Hidrodrini", për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2010, dhe mund të procedohet në Kuvend. Ndërsa, u dakorduan që t'i rekomandohet Kuvendit që të ndërmerren masa në rritjen e efikasitetit të proceseve menaxheriale dhe kontrollit të brendshëm në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal "Hidrodrini".