Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

, 27.07.2011




Vështirësi të shumta e përcjellin implementimin e Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje. Kështu u konstatua sot në dëgjimin publik, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky dëgjim publik zhvilloi punimet nën kryesimin e kryetares së Komisionit, Suzan Novobërdaliu, e cila fillimisht i njoftoi të pranishmit për qëllimin e këtij debati. Lidhur me këtë, ajo tha se Komisioni në fokus të angazhimeve të tij ka pasur monitorimin e këtij ligji, për ç'gjë ka formuar edhe grupin punues për të parë nga afër ecurinë e zbatimit të ligjit.

Kryesuesja e grupit punues për monitorimin e këtij ligji, Albana Gashi ndërkaq, njoftoi se gjatë vizitave të bëra në teren, kanë identifikuar një mori mangësish që zvarrisin jetësimin në praktikë të ligjit. Ajo me këtë rast tha se ministritë përkatëse ende nuk kanë nxjerrë akte nënligjore për trajtimin e personave që ushtrojnë dhunë në familje. Duke adresuar kritika edhe ndaj gjyqësorit për mos zbatimin e ligjit, Gashi ndërkaq, shprehu falënderimin e saj për Policinë e Kosovës (PK), e cila sipas saj është institucioni i vetëm që është i përkushtuar për zbatimin e këtij ligji.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e PK-së, togerja Tahire Haxholli, duke vënë në pah gadishmërin e policëve për tu dalë në mbrojtje personave ndaj të cilëve ushtrohet dhunë, foli për vështirësitë që hasin në punën e përditshme. Mos definimi i qartë për shqiptimin e urdhrit të mbajtjes dhe procedura e veprimit të policisë, tha Haxholli, sjell vështirësi të shumta në punën tonë. Duke paraqitur vërejtje edhe në disa nene të ligjit, togerja Haxholli me shqetësim foli edhe për mungesën e hetuesëve të dhunës nëpër stacionet policore.

Për vështirësitë e implementimit të ligjit, në vijim foli edhe përfaqësuesja e UNDP-së, Nazlie Bala. Ajo ishte e mendimit se qeveria duhet krijuar një fond shtetërorë për implementimin e ligjit. Ajo, po ashtu tha se duhet shtuar numri i strehimoreve për personat ndaj të cilëve ushtrohet dhunë, si dhe miratimi i ligjeve sekondare për të përmbushur mangësitë e ligjit aktual.

Lirie Maksutaj, përfaqësuese e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale (MPMS), ndërkaq, foli për obligimet me të cilat i ngarkon ligji, e për të cilat tha se janë në fazën përfundimtare të miratimit të akteve nënligjore. Duke ngritur një varg çështjesh, edhe Maksutaj bëri kritika të shumta gjykatave për të cilat tha se s'është shënuar as një rast ku ato kanë marr vendim që kryesi i veprës të nxirret nga shtëpia. Edhe në këto raste, vijoi ajo, femra, ndonëse i është eksponuar dhunës në familje mbetet viktimë e pambrojtur. Kosova tha në vijim ajo, më shumë shpenzon në eliminimin e pasojave, se sa në parandalimin e dhunës dhe integrimin e personave që kanë pësuar nga dhuna.

Valbona Salihu, e cila foli në emër të Shoqatës "Norma", ishte e mendimit se femrat janë objekt dhune për faktin se nuk implementohet ligji për trashëgimin. Femra në rastet më të shpeshta s'është përfituese e pasurisë nga trashëgimia, tha Salihu, dhe vijoi, se për këtë shkak, ajo vie në situat të varshmërisë ekonomike duke e shëndrruar pastaj në objekt dhune.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Arta Kelmendi, pasi foli në hollësi për masat e marra nga MD-ja për implementimin e ligjit, tha se ata kanë ofruar një pako ndihmash për personat që kanë pësuar dhunë në familje. Më tej ajo foli për vështirësitë që hasin ata, ku ndër të tjera vuri në pah buxhetin e kufizuar dedikuar kësaj fushe.

Ndonëse në këtë dëgjim publik pati shumë ankesa ndaj gjykatave, lidhur me këtë, mospajtim shprehu Albert Zogaj, zv. kryetar i Gjykatës Komunale. Zogaj, pasi paraqiti angazhimet e gjykatës për implementimin e ligjit, kërkoi që departamenti për Mbrojtje të Viktimave pranë PK-së të klasifikojë rastet. Jo edhe të gjitha rastet duhet klasifikuar si dhunë në familje, tha ai, dhe shtoi se gjykata ka shënuar raste ku për shkak të klasifikimit të gabuar nga policia, ndërhyrja e gjykatës ka bërë të çrregullojë raportet familjare.
Igballe Rugova, nga Rrjeti i grave të Kosovës, duke vlerësuar se fenomeni i dhunës në familje është në rritje, kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që të jetë më i zëshëm, dhe kërkoi masa më të rrepta ndëshkuese për shkelësit e ligjit.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...