Lajmet e fundit
Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit
, 28.07.2011
Pas përfundimit të mbledhjes së jashtëzakonshme, në të cilën u diskutua për gjendjen politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës, deputetët vazhduan me mbledhjen e rregullt plenare, sipas rendit të ditës që kishte miratuar Kryesia e Kuvendit.
Në këtë mbledhje, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan një varg projektligjesh në leximin e parë dhe të dytë. Fillimisht u shqyrtua Projektligji për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, arsyeshmërinë e të cilit në emër të qeverisë e paraqiti ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Stavileci njoftoi se projektligji është në harmoni me standardet e BE-së dhe do të ndikojë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të bujqësisë. Pas deklarimit në favor të këtij projektligji nga ana e shefave të grupeve parlamentare, deputetët me shumicë votash e miratua në parim këtë projektligj.
Në vijim, bazuar në kërkesën e Kryesisë së Kuvendit për të shqyrtuar në procedurë të përshpejtuar Projektligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, deputetët me shumicë votash e miratuan edhe këtë projektligj.
Ndonëse gjatë deklarimit të grupeve parlamentare, pati disa vërejtje rreth projektligjit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri sqarime të nevojshme lidhur me paqartësitë e shfaqura me këtë rast. Duke iu referuar konstatimit të përfaqësuesit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi se projektligji "është i negociuar me grevistët e UÇK-së", kryeministri Thaçi tha: "Projektligji nuk është i negocionuar me askënd". Por, vijoi ai, projektligji vjen si përgjegjësi shtetërore ndaj këtyre kategorive. Në vijim, kryeministri kërkoi që rekomandimet nga të gjitha grupet parlamentare të shqyrtohen në fazën e draftimit të tij.
Lidhur me këtë projektligj u shpreh edhe kryeparlamentari, Jakup Krasniqi. Sipas tij, është e nevojshme që projektligji të njohë të gjitha kategoritë e luftërave çlirimtare, ndërkaq, Kuvendi do të duhej të përcaktojë se kujt i takon statusi i Dëshmorëve të Kombit.
Pas kësaj, projektligji u miratua unanimisht nga deputetët.
Në vazhdim u shqyrtua Projektligji për zjarrfikje dhe shpëtim, të cilin para deputetëve e arsyetoi ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ministri sqaroi se projektligji është në harmoni me Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, ka për qëllim rregullimin e kësaj fushe e cila deri më tani nuk është e rregulluar. Ai, po ashtu sqaroi se projektligji ka për qëllim rregullimin e njësisë së zjarrëfikjes dhe të shpëtimit. Pas kësaj, edhe ky projektligj u përkrah në parim nga deputetët.
Ndërkaq, Projektligjin për mbrojtjen e informatorëve, para deputetëve e paraqiti zv/kryeministri i Kosovës dhe ministër i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Luftimi me sukses i dukurive negative, tha ai, bëhet me masa adekuate ligjore. "Në këtë kuptim kemi amendamentuar këtë projektligj, i cili ka për qëllim sigurimin adekuat të informatorëve, e i cili projektligj kërkohet edhe nga KE-ja në raportin e saj për Kosovën", tha Kuçi. Edhe ky projektligj u përkrah në parim nga deputetët. Në vijim, deputetët miratuan në parim edhe Projektligjin për masat mbrojtëse të importeve dhe Projektligjin për prokurimin publik në Republikën e Kosovës, të cilët po ashtu i paraqiti zv/kryeministri Kuçi.
Në vijim deputetët për herë të dytë shqyrtuan Projektligjin për Organizimin Sindikal.
Në emër të Komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, lidhur me këtë projektligj foli Salihe Mustafa. Ajo tha se komisioni ka përkrahur këtë projektligj, dhe duke kërkuar përkrahje nga deputetët sqaroi se me të rregullohet organizimi sindikal.
Pas kësaj, fillimisht u hodhën në votim amendamentet e projektligjit të cilat u përkrahën në tërësi pa asnjë vërejtje nga deputetët.
Mbledhja do të vazhdojë nesër nga ora 10:00.