Lajmet e fundit
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u takua me ministren e Integrimit Evropian
, 12.08.2011
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë që kanë të rinjtë në procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, si dhe për të shënuar njëkohësisht edhe Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, realizoi një takim me ministren e Ministrisë së Integrimit Evropian, znj. Vlora Çitaku, takim ky i cili kishte për qëllim edhe njohjen më nga afër të këtij grupi me planet që ka kjo ministri lidhur me sensibilizimin e të rinjve për këtë proces.
Fillimisht kryetarja e këtij grupi, deputetja Ganimete Musliu, falënderoi ministren për kohën që ka ndarë për këtë takim dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me deputetët e rinj. Ajo gjithashtu foli për arsyen e këtij takimi të përbashkët duke e parë si të nevojshme për të marrë informacione nga kjo ministri, por edhe nga të gjitha ministritë që kanë lidhje edhe me fushëveprimtarinë e grupit.
Ministrja Çitaku, si njëra ndër themelueset e këtij grupi gjatë mandatit të kaluar, duke u shprehur mireseardhjen deputetëve, ajo njëkohësisht u tregoi anëtarëve të bordit për vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar ky grup, në kohë kur kjo ka qenë anëtare e tij, ku është përballur me mungesë hapësire në kuvend si dhe trajtim jo formal, jo paralel në kuvend. Mirëpo i inkurajoi anëtarët e tanishëm të këtij grupi që të shfrytëzojnë këtë format për të shtyrë përpara agjenda të rendësishme e që i prekin të rinjtë. Ajo u shpreh e gatshme që çfarëdo detyre që ky grup ndan në planin e tij e që kjo ministri mund ta kryejë, atëherë këtë edhe do ta bëjë pa hezitim. Sa i përket të rinjve ajo tha gjithashtu se ministria e saj është ndër ato që në stafin e vet ka më së shumti të rinjë mirëpo ajo që i lidh me të rinjtë është edhe projekti i bursave për ta si dhe një mbështetje prej 3 milion € si asistencë teknike që kjo ministri bashkë me GTZ-në ka si projekt për të organizuar evente për të rinjtë, për t'i informuar ata për BE-në në përgjithësi si dhe për procesin e integrimit në BE, në veçanti.
Deputetja Ganimete Musliu, njëkohësisht edhe kryetare e Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj i shprehu idenë e bashkëpunimit apo përfaqësimit të deputetëve të rinjë edhe në Parlamentin Evropian, si monitorues të seancave apo mbledhjeve të tjera me rëndësi, mirëpo ministrja tha se për këtë nuk mund të bëjë shumë pasi që kjo çështje i përket raporteve reciproke mes dy parlamenteve. Për informimin e të pranishmëve ajo shtoi se këto dy parlamente mbajnë takime të rregullta të paktën dy herë në vit, herë në Bruksel e herë në Prishtinë.
Nga ana tjetër Burim Ramadani anëtar i bordit të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj, shtoi se agjenda e këtij grupi është që t'i promovojë të rinjtë e në kuadër të kësaj, në takime me ministri që i prekin edhe të rinjtë, të mund të identifikohen fushat se në cilat mund të realizohet bashkëpunimi.
Ministrja Çitaku shfrytëzoi rastin që të të kërkojë nga deputetët procedurë më të shpejtë për pakon e ligjeve që kjo ministri ka dorëzuar në kuvend.
Në fund dyert mbetën të hapura për bashkëpunim të mëtejshëm mes këtij grupi dhe kësaj ministrie duke parë edhe gatishmërinë e ministres që të raportojë para këtij grupi kur ky e sheh të nevojshme për ndonjë çështje me rëndësi.
Ky takim ky ishte në vazhdimësinë e takimeve që Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj është duke realizuar me ministritë që kanë lidhje me fushëveprimtarinë e këtij grupi.
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj u uron të gjithë të rinjve 12 Gushtin, Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.