Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 24.08.2011
U përkrahën në parim 6 projektligje.
Nuk u përkrah në parim projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit.
Vendimi i 25 korrikut, ka qenë jo i lehtë, por ka qenë i drejtë legal dhe legjitim, që ka demonstruar edhe një herë se qeveria është e përcaktuar për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, demonstrim i qartë i përcaktimit për luftimin e krimit dhe korrupsionit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës, theksoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të cilës e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, filloi me fjalën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri i Kosovës tha se në periudhën e shkurtër kohore të pauzës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë ndodhur gjëra të rëndësishme, ndaj për hir të transparencës dhe përgjegjësisë shtetërore para Kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, e sheh të udhës të informoj Kuvendin dhe të gjithë qytetarët lidhur me zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe të bëjë një përmbledhje kronologjike të ngjarjeve që nga 20-25 korriku, kur Qeveria e Republikës së Kosovës autorizoi veprimet e nevojshme për zbatimin e masave reciproke tregtare të vendosura nga shteti i Kosovës kundër Serbisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës me 20 korrik mori vendim për aplikimin e masave të reciprocitetit për mallrat që janë importuar nga Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina.
Ky vendim ka filluar të zbatohet në të gjitha pikat kufitare menjëherë, me përjashtim të pikës 1 dhe 31 në veri të vendit, ku policët kufitar të nacionalitetit serb së bashku me policët e EULEX-it kanë refuzuar të zbatojnë vendimin për ndalimin e mallrave që vijnë nga Serbia. “Si rrjedhojë më 25 korrik, unë si kryeministër në bazë të autoritetit tim kushtetues kam autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për vendosjen e sundimit të ligjit për zbatimin e vendimit për reciprocitet në pikat 1 dhe 31. Pas përfundimit të operacionit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në veri të vendit u krijuan kushtet që policia e Kosovës dhe doganierët të vendose në pikën 1 dhe 31.
Fatkeqësisht me datën 27 një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga liderë të strukturave kriminale serbe dhe të motivuar nga autoritetet e Beogradit, kanë sulmuar fillimisht pikën 1 e më pas atë 31. Fatkeqësisht këto veprime të dhunshme janë urdhëruar dhe udhëhequr nga strukturat më të larta të Qeverisë së Serbisë për çka shteti i Kosovës e bën Beogradin përgjegjës të drejtpërdrejtë edhe për dhunën, djegien e pikës kufitare dhe për vrasjen e policit Enver Zymberi. Djegia e pikës 1është bërë prej njerëzve me maska, por gjithçka ishte e qartë. Pas kësaj djegieje qëndron politika e shekullit të kaluar, të cilën Serbia vazhdon ta zbatojë në raport me Kosovën. Kjo politikë e njëjtë po vazhdon edhe sot e mbështjellë me një kamuflazh falco të demokracisë. Mirëpo, askush në botë s’u beson trillimeve dhe gënjeshtrave të Serbisë zyrtare prapa të cilave fshihet dëshira e sëmur për uzurpim të një pjese të territorit tonë”, theksoi z. Thaçi..
Në vijim kryeministri Thaçi shprehu zotimin këmbëngulës se as de facto dhe as de jure nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
EULEX-i ka qenë vazhdimisht i informuar për gjendjen e patolerueshme në veri tash e tri vite e gjysmë. Gjithë faktorët ndërkombëtar kanë qenë të informuar tash e 12 vite për këtë gjendje të patolerueshme në veri, mirëpo EULEX-I ka hezituar të jetë mbështetës i vendimit të institucioneve të Republikës së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit . Por, pas vendimit dhe veprimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës EULEX-i është deklaruar se dëshiron dhe është i gatshëm të kontribuojë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke e dëshmuar bashkëpunimin në veprime të përbashkëta me institucionet e Republikës së Kosovës.
Në vazhdim kryeministri pohoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me KFOR-in për çka falënderoi gjithë stafin komandues me komandantin Byler.
Duke folur për marrëveshjen e përkohshme në mes KFOR-it dhe Qeverisa së Kosovës ai tha se fatkeqësisht KFOR-it nuk është duke respektuar në tërësi dhe ende ka barrikada që nuk janë hequr nga rrugët. “Ne vazhdojmë të kemi besim në autoritetin e KFOR-it për përmbushjen e zotimeve që dalin nga kjo marrëveshje, mirëpo dua të theksoj se ne do të vazhdojmë me përkushtimin tonë deri në fund për rend dhe ligj. Tashmë Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë qëndrime unike për veriun e vendit pas 12 vite e gjysmë, që do të thotë se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut. Kjo është konfirmuar tani më edhe nga Brukseli, edhe nga SHBA-të nëpërmes zyrtarëve të lartë që vizituan Republikën e Kosovës javën e fundit. Vendimi për të futur nën kontroll vendkalimet kufitare në veri të vendit, edhe pse ka qenë i vonuar ai ka qenë i domosdoshëm, legal dhe legjitim dhe ka qenë i modelit evropian. Ne nuk mund të jemi indiferentë dhe përjetësisht të tolerojmë që një pjesë e territorit tonë të jetë vrimë e zezë, jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës.
Ne nuk mund të toleronim që përjetësisht që sovraniteti ynë të cenohej. Nuk mund të tolerojmë që një pjesë e atdheut tonë të përdoret dhe shfrytëzohet si vendkalim për mallrat të kontrbanduara. Nuk mund të lejonim që përjetësisht të cenohej sovraniteti ynë, sepse kjo ishte në kundërshtim jo vetëm me parimet e ligjeve dhe kushtetutës sonë, por edhe në kundërshtim të plotë edhe me vlerat dhe parimet evropiane. Ne jemi munduar që nëpër mes dialogut me Serbinë të zgjedhim shumë probleme praktike që kemi zgjedhur edhe me vendet tjera të rajonit. Për derisa ne do të vazhdojmë dialogun për çështje praktike, kjo assesi nuk nënkupton që Serbisë do t’i epet e drejta e vetos për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë. Republika e Kosovës në dialog me Serbinë janë palë të barabarta dhe bisedojnë si dy shtete të pavarura rrugët e të cilëve shpijnë në NATO dhe Bashkim Evropian”, theksoi z. Thaçi.
Në vijim kryeministri tha se nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur një kapitull i ri i sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës dhe se në as një rrethanë nuk do të ketë kthim prapa. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe organet që janë përgjegjëse për rend dhe ligj, do të jenë të pakompromis dhe me çdo çmim do të sjellin para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e policit dhe heroit të Kosovës Enver Zymberaj. Do të sjellin para drejtësisë të gjithë paramilitarët dhe kriminelët që djegin pikat kufitare të Kosovës dhe që dhunojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Krimi i organizuar në veri, strukturat kriminale në veri nuk janë rrezik lokal, janë rrezik për rajonin dhe do të jemi të pakompromis ndaj tyre. Do të sillen para drejtësisë të gjithë kontrabandistët, strukturat kriminale dhe gjithë kriminelët të cilët për 12 vite me radhë kanë bërë krime duke menduar se janë të paprekshëm dhe duke menduar se veriu i Kosovës gjithmonë do të mbetet një parajsë e tunduar nga kriminelët. Tani më ai kapitull ka përfunduar një herë e përgjithmonë, më 25 korrik. “Unë për vrasësit, strukturat kriminale në veri, kriminelët dhe kontrabandistët, kamë sot nga Parlamenti i Kosovës një mesazh të qartë. Qeveria e Republikës së Kosovës punon këmbëngulësisht që të integrojë komunitetin serb në jetën e re demokratike në një proces elektoral demokratik, ku qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e vetë në institucionet lokale dhe ato qendrore” ,tha kryeministri Thaçi. Në vijim ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdoj me agjendën e vet të planifikuar me autoritetin kushtetues dhe ligjor me modelet e veta angazhuese evropiane. Prandaj, në këtë rrugë për rend dhe ligj nuk ka qasje tjetër. Beteja kundër së keqes në veri, kundër strukturave kriminale nuk është betejë politike, ajo është betejë për rend dhe ligj. Ai pastaj shprehu konsideratën e lartë për të gjitha partitë politike që kanë dëshiruar të jenë pjesë e procesit mbështetës, si dhe mirënjohjen e lartë për maturinë që kanë treguar qytetarët e Republikës së Kosovës të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. “Jemi në një proces konsolidues të shtetit të Kosovës. Ky sukses i ri është suksesi i të gjithëve, është suksesi i shtetit të Kosovës”, përfundoi kryeministri Thaçi.
Mbledhja vazhdoi me pikat e rëndomta të rendit të ditës-koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat Mahir Jagxhillar, Ramë Buja dhe Sllobodan Petroviq.
Në vijim Kuvendi nisi punën në shqyrtimin e projektligjeve. Projektligjin për tregti me jashtë e prezantoi zëvendës kryeministri i Qeverisë së Kosovës Hajredin Kuçi, i cili tha se me këtë projektligj përcaktohen rregullat dhe procedurat në lëmin e tregtisë me jashtë, ndërsa miratimi i tij do të ketë efekte pozitive në lëmin e tregtisë. Në emër të Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të Kuvendit të Kosovës, për rëndësinë e këtij projektligji foli Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit. Pas debatit u miratua në parim ky projektligj. Prezantimin e Projektligjit për marrëveshjet ndërkombëtare para deputetëve e bëri ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili tha se ky projektligj konsolidon bazën ligjore për marrëveshje ndërkombëtare në mes dy ose më shumë palëve. Në emër të Komisioni për Punë të Jashtme, për përmbajtjen e këtij Projektligji foli Albin Kurti, kryetar i këtij Komisioni, i cili tha se ky projektligj është shumë i nevojshëm.
Prezantimin e Projektligji për Akademinë e Kosovës për siguri publike, e bëri Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, i cili tha se qëllimi këtij projektligji është themelimi i Akademisë së Kosovës për siguri publike dhe definimin e statusit të saj. Ky projektligj njëherësh siguron bazën ligjore për akreditim të Akademisë për Siguri Publike. Pas debatit u miratua në parim ky Projektligj.
Prezantimin e Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, para deputetëve e bëri ministri Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi. Ndërkaq, Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, paraqiti Rekomandimin e Komisionit, me të cilin kërkohet që ky Projektligj t’ i kthehet Qeverisë në ripunim. Rreth këtij Projektligji u zhvillua debat shumë i gjerë. Shumica e deputetëve bënë vërejtje të shumta ndaj këtij Projektligji. Theksohej se ky projektligj sjell implikime etnike e ndëretnike.
Ne debat rreth këtij Projektligji mori pjesë edhe kryeparlamentari Krasniqi, i cili tha se Komisioni funksional nuk ka bërë vlerësim të duhur, ai është dashur të thotë se pse nuk duhet të miratohet ky Projektligj, pra arsyetimi do të duhej të ishte shumë më argumentues. Ai tha se për derisa kemi një ligj për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nuk është e nevojshme të bëjmë ligje për secilën zonë të mbrojtur.
Krijimi i shumë trupave krijon kolizion dhe e bënë të kushtueshëm ligjin për taksapaguesit e Kosovës. Në formën që ka ardhur ky ligj nuk mund të amendamentohet, ai është i pariparueshëm ndaj edhe duhet t’ i kthehet sponzoruesit. Gjatë votimit projektligji nuk u përkrah në parim.
Në vijim deputetët përkrahën në parim edhe Projektligjin për Lirinë e Asocijmit në Organizatat Joqeveritare dhe Projektligjin për Organizmat e Modifikuar Gjenetikisht.
Në rendin e ditës ishin edhe tri raporte. Përkitazi me Raportin e parë të Progresit për Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian, për vitin 2011, para deputetëve foli kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane Lutfi Haziri, i cili tha se plani i i shqyrtimit të projektligjeve që ndërlidhen me këtë Raport deri tash është realizuar pjesërisht, por shprehu besimin se Raporti i dytë do të jetë shumë më pozitiv. Ai me këtë rast falënderoi kryetarët e komisioneve për angazhimet e tyre për realizimin e këtij plani. Pas debatit Kuvendi miratoi Raportin e parë të Progresit për Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian, për vitin 2011.
Në vazhdim, Kuvendi miratoi Rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave lidhur me Raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Kompanisë së ujësjellësit rajonal “ Hidrodrini” për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2010 si dhe të Raportit të auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit, për vitin 2010. Rekomandimet para deputetëve i paraqiti kryetari i këtij komisioni Ali Sadriu.
Në këtë mbledhje u përkrah Propozimi i Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re për emërimin e deputetit Amir Ahmeti në Komisionin për Legjislacion, në vend të ish-deputetit Ibrahim Makolli, pastaj propozimin e Grupit parlamentar të PDK-së që deputeti Adem Grabovci të emërohet anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financa Publike në vend të deputetit Muhamet Mustafa, si dhe propozimin që anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim të emërohet Elmi Reçica në vend të deputetes Myzejene Selmani.