Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 24.08.2011




Në seancën e 29 gushtit do të shqyrtohen tetë projektligje në shqyrtim të parë.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për seancën e 29 gushtit.

Në këtë seancë, do të shqyrtohen për herë të parë tetë projektligje: Projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtave të përafërta, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shtetësinë e Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, Projektligji për mbeturina, Projektligji për Hekurudhat Kosovës, Projektligji për Agjencinë Kosovare të Forenzikës, Projektligji për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore dhe Projektligji për fshatin Hoçë e Madhe.
U dakordua që ky rend dite të plotësohet më pika të tjera, në rast se komisionet paraqesin raportet me rekomandime për projektligje që janë në shqyrtim.

Kryesia shqyrtoi, gjithashtu, kërkesën e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për caktimin e pagave, shtesave dhe benifiteve të punonjësve të këtij organi, me ç’rast vlerësoi se ajo nuk është e adresuar mirë dhe se kjo çështje nuk është në kompetencë të Kuvendit dhe Kryesisë.

Në mbledhjen e sotme, kryesia shqyrtoi edhe kërkesën e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe të Përfaqësuesit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, për shtyrjen e shqyrtimit të dytë Projektligjit për Transmetuesin publik dhe të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media. U konstatua se periudha dymujore e shqyrtimit të këtyre projektligjeve në komisionin përkatës parlamentar nuk ka përfunduar ende dhe se komisioni duhet ta vazhdojë punën e tij, duke i kërkuar këtyre organizmave ndërkombëtarë dërgimin e ekspertëve të tyre që të jenë pjesë në procesin e amendamentimit të projektligjeve dhe, nëse është nevoja, edhe pjesë e një debati në të cilin do të merrnin pjesë edhe kryetari dhe Kryesia e Kuvendit.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit