Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti kryeministren e Kroacisë, znj. Jadranka Kosor
, 24.08.2011
Të thellohen edhe më marrëdhëniet e gjithanshme midis dy vendeve.
Mirënjohje e thellë për mbështetjen që Republika e Kroacisë dhe institucionet e saj i kanë dhënë Republikës së Kosovës në proceset e vështira nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon ajo
Integrimet euroatlantike- prioritet i lartë strategjik.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim kryeministren e Republikës së Kroacisë, znj Jadranka Kosor. Kryeministrja shoqërohej edhe nga ministri i Mbrojtjes, z. Davor Boinoviè, ministri i Ekonomisë, Punës dhe Ndërmarrjes, z Ðuro Popijaè, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë së Kroacisë. Në këtë takim morën pjesë edhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti,Sabri Hamiti, Glauk Konjufca,Petar Miletiq dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme , Albin Kurti.
Pasi i uroi mirëseardhje kryeministres kroate, z. Krasniqi në fjalën e tij u përqendrua në marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve dhe në veçanti midis dy parlamenteve. Ai përkujtoi se në takimin e parë që kishte me znj. Kosor në Zagreb, u vlerësua se është i nevojshëm thellimi i marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve. Ai shprehu mendimin se ka hapësirë dhe mundësi të zgjerimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Ai në vijim shprehu mirënjohjen thellë për gjithë mbështetjen që Republika e Kroacisë dhe institucionet e saj i kanë dhënë Republikës së Kosovës në proceset e vështira nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon.
“Ne kemi para vetës rrugë të gjatë dhe të vështirë drejt mirëqenies sociale, drejt zhvillimit ekonomik e demokratik, forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër varfërisë, drejt shtrirjes së pushtetit shtetëror e administrativ në gjithë territorin e vendit, drejt integrimit të komunitetit serb në shoqërinë e Kosovës, drejt luftës kundër krimit e korrupsionit dhe drejt prioritetit tonë strategjik të integrimeve euroatlantike.
Ne presim vazhdimin e mbështetjes së Kroacisë mike, nëpërmjet të veprimtarisë diplomatike ndërkombëtare, për njohjen e saj, për aderimin në organizmat relevantë ndërkombëtare, për bashkëpunimin rajonal dhe për integrimin në Bashkimin Evropian” , theksoi kryekuvendari Krasniqi. Duke folur për disa nga prioritetet e Kosovës ai tha se prioritet i lartë strategjik janë integrimet euroatlantike. Rruga drejt Evropës do të ndihmojë zhvillimin tonë, por edhe do të na bashkojë në harmoni me popujt e rajonit dhe me fqinjët .
Nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka ndryshuar shumë, duke bërë përparime të dukshme në të gjitha fushat dhe duke u kthyer në faktor paqeje e stabiliteti në rajon. “Një nga të arriturat më domethënëse politike që na bën të krenohemi, padyshim është vendosja e një rendi kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Të një rëndësie të veçantë për ne janë marrëdhëniet më fqinjët tanë, me të cilët dëshirojmë t'i thellojmë ato më tej në të gjitha fushat, në dobi të interesave të ndërsjella, të miqësisë midis popujve dhe të bashkëpunimit e të paqes në rajon. Nga të gjithë fqinjët tanë, vetëm Republika e Serbisë nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Me Serbinë mund dhe duhet të bisedojmë, por jo duke u përzier në punët e brendshme të njëri-tjetrit, sepse jemi dy shtete sovrane.
Në veri të Kosovës, Beogradi ka ngritur struktura kriminale, me të cilat jo vetëm që pengon integrimin e komunitetit serb të atjeshëm, por ndërhyn rëndë në rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit tonë”, theksoi kryekuvendari Krasniqi.
Duke folur për çështje të zhvillimit të Kosovës, z. Krasniqi tha se
Kosova ka potenciale të shumta zhvillimi e përparimi. Pavarësia ka krijuar dhe po krijon kushte të favorshme për investime të kapitalit të huaj në Kosovë, siç janë siguria e stabiliteti politik, infrastruktura ligjore e fizike, telekomunikimet dhe lehtësitë doganore e tatimore, sigurimi i një mjedisi të qëndrueshëm biznesi, të cilat bashkë me pasuritë e mëdha dhe potencialin rinor e fuqinë e lirë punëtore, do të tërheqin investime të huaja dhe do të mundësojnë zhvillim të shpejtë. Z. Krasniqi në vijim foli edhe për agjendën legjislative dhe evropiane e Kuvendit të Kosovës, shkëmbimin e përvojave me demokracitë parlamentare të përparuara, harmonizimin e projektligjeve me standardet e BE-së etj.
Ai foli edhe për pozitën e komunitetit kroat, si dhe për pozitën e shqiptarëve në Kroaci dhe integrimi i tyre në jetën institucionale.
Kryeministrja Kosor në fillim falënderoi kryekuvendarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë, duke theksuar në vijim se miqësia ndërmjet dy popujve është miqësi tradicionale.”Në kohëra të vështira popujt tanë gjithnjë kanë mbështetur nëjri-tjetrin”. Znj. Kosor e përgëzoi kryekuvendarin Krasniqi për punën e mirë që ka bërë Parlamenti i Kosovës në ndërtimin e institucioneve demokratike e stabile. Ndërkaq, duke folur për pozitën e pakicës kroate në Kosovë ajo u falënderua për gatishmërinë që po tregojnë institucionet e Kosovës për këtë çështje.”Në këtë mënyrë ju po dëshmoni se po siguroni një vend të njëjtë për të gjithë qytetarët pa dallim, përkatësisht me të drejta të barabarta për secilin”, u shpreh ajo.Znj. Kosor inkurajoi parlamentet e Kosovës dhe të Kroacisë për një bashkëpunim edhe më të thellë.
Përkitazi me çështjen e bashkëpunimit ekonomik, znj Kosor tha se në këtë fushë mund të bëhet edhe më shumë. Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ajo shprehu mendimin se ai duhet të vazhdojë edhe më tej.
Gjatë ditës së sotme znj. Kosor kishte vizituar edhe ushtarët kroat në kuadër të KFOR-it, nga të cilët përcolli ndjenjën e tyre se ata ndihen në Kosovë sikur në shtëpinë e tyre.