Lajmet e fundit
Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit
, 29.08.2011
Kuvendi miratoi pesë projektligje.
Sot më shumë se dje ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë në Bruksel, dhe aty të rikonfirmojmë konsolidimin e shtetësisë tonë, dhe parimet tona të panegociueshme, tha kryeministri Thaçi
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi nënkryetari i parë i Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan një varg projektligjesh në leximin e dytë.
Ndonëse në një mbledhje të mëhershme Kryesia e Kuvendit kishte caktuar rendin e ditës për seancën e sotme ku do të shqyrtoheshin projektligje në lexim të parë, me propozimin e saj të sotëm deputetët me shumicë votash vendosën të shqyrtojnë vetëm projektligje (14 sosh) në lexim të dytë, e që dalin nga Raporti i Progresit të KE-së, ndërsa projektligjet e leximit të parë të parapara për këtë mbledhje do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës më 31 gusht.
Bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e cila përcakton të drejtën për deklarime jashtë rendit të ditës, deputetët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh. Në kuadër të ksaj pike të rendit të ditës, foli edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi. Ai me këtë rast kujtoi se sot mbahet mbledhja e KS-së, ku do të prezantohen të arriturat e shtetit të Kosovës dhe imazhi i saj i ri që është krijuar pas 25 korrikut. Duke folur për njësitin e Forcave Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), për portretizimin e saj nga politika zyrtare e Beogradit dhe disa qarqeve ndërkombëtare, kryeministri tha: “ROSU, janë vëllezërit dhe motrat tona, gratë dhe burrat e Kosovës, bijtë dhe bijat tona të cilët me nderin dhe guximin më të madh po i shërbejnë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”. Duke folur për ligjet që janë në procedurën e miratimit, veçanërisht për ato që dalin nga pakoja e presidentit Ahtisari, kryeministri i vendit shprehu shqetësimin lidhur me qëndrimin dhe qasjen e disa deputetëve dhe grupeve parlamentare. Lidhur me këtë, kryeministri tha se duartrokitjet e disave për mosmiratimin e këtyre projektligjeve janë flakaresh për shtetësinë e Kosovës. Në vijim ai foli për strukturat ilegale në veri të vendit, aty ku nuk është duke u zbatuar pakoja e presidentit Ahtisari.
Kryeministri në fjalën e tij edhe me këtë rast vuri në pah vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit të saj në tërë territorin e vendit, dhe zhbërjen e strukturave paralele. Duke iu referuar bisedimeve teknike me Serbinë që pritet të zhvillohen në fillim të muajit të ardhshëm, kryeministri tha se Kosova s’ka arsye të zmbrapset nga dialogu i vlerave euro-atlantike. Përkundrazi, shtoi ai, sot, më shumë se dje ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë në Bruksel, dhe aty të rikonfirmojmë konsolidimin e shtetësisë tonë, dhe parimet tona të panegociueshme.
Në vijim, deputetët shtruan pyetje parlamentare për kabinetin qeveritar, të cilëve iu përgjigj, ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve, me ç’rast deputetët fillimisht shqyrtuan dhe miratuan Projektligjin për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. Në vijim, u shqyrtua Projektligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës i cili nxiti debate të shumta në mes të deputetëve. Në fund edhe ky projektligj u përkrah nga shumica e të pranishmëve, duke hedhur poshtë amendamentin e propozuar nga disa deputetë i cili parashihte futjen e mësimit të edukatës fetare nëpër institucionet shkollore.
Në këtë mbledhje deputetët miratuan edhe këto projektligje: Projektligjin për lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare, Projektligjin për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit dhe Projektligjin për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës.
Në mungesë të koorumit Kuvendi ndërpreu punimet për të vazhduar të mërkurën në orën 10:00.