Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 14.09.2011
Shqyrtimi i raportit vjetor me pasqyrat e audituara financiare të Bankës Qendrore të Kosovës, për vitin 2010, ishte temë diskutimi gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i komisionit.
Anëtarët e Komisionit fillimisht kërkuan informata shtesë nga përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me funksionimin dhe sfidat e këtij institucioni, me theks të veçantë rreth procesit të pavarësisë së BQK-së, rastit të shkarkimit të guvernatorit të BQK-së, për politikat financiare, emetimin e parasë, kontrollin e sistemit bankar, sigurimet kufitare, fondin e privatizimit, si dhe fondet jashtë Kosovës.
Pyetjeve dhe shqetësimeve të anëtarëve të komisionit iu përgjigj guvernatori i Bankës Qendrore, z. Gani Gërguri.
Me këtë rast Gërguri duke përshëndetur miratimin e Ligjit për BQK-në nga ana e Kuvendit të Kosovës tha se falë këtij ligji në BQK ekziston pavarësia institucionale, e cila është e garantuar me Ligj, ndërsa ka vënë në pah edhe përzgjedhjen e guvernatorit të BQK-së nga Kuvendi.
Sa i përket çështjes së politikave financiare, ai tha se edhe kjo çështje është e pavarur.
Duke folur rreth licencimit, rregullimit dhe mbikëqyrjes së të gjitha institucioneve financiare, Gërguri vlerësoi se në asnjë shtet të zhvilluar nuk ndodh që të gjitha këto obligime t'i kryejë vetëm një institucion.
Megjithatë, duke shpjeguar se ekzistojnë mekanizmat e kontrollit për këtë çështje, ai sqaroi se tashmë është duke u përgatitur edhe Ligji për Bankat Komerciale dhe ky ligj pritet të jetë në Kuvend gjatë muajit tetor. Gërguri duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit ka folur edhe për normat e interesit bankar, për të cilat edhe ai u pajtua se janë të larta.
Ndërsa rreth pyetjes nëse ekziston ndonjë marrëveshje e fshehtë në mes institucioneve që mbikëqyrë BQK-ja, ai tha se Komisioni i Konkurrencës është në fazën e hetimeve lidhur me këtë çështje, në bashkëpunim me BQK-në.
Anëtarët e komisionit kanë përkrahur Raportin vjetor me pasqyrat e audituara financiare të Bankës Qendrore të Kosovës, për vitin 2010, me rekomandimin që Kuvendi t'i drejtohet Qeverisë, në mënyrë që BQK-së t'i krijohen kushte të plota dhe të mbulojë sferat të cilat kërkohen nga ky institucion.