Lajmet e fundit
Konferencë e Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj
, 14.09.2011
Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj ka mbajtur sot një konferencë me temën "Rinia në zgjedhjet e ardhshme", konferencë kjo që synon të ngrisë zërin e të rinjve, organizatave të ndryshme rinore dhe aktivistëve të rinj me moshë që të jenë pjesë e procesit të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme. Qëllimi i saj ishte që të qartësojë objektivin e rinisë për të qenë pjesë e ndryshimeve që ndodhin në skenën politike dhe në jetën publike në Kosovë. Kjo konferencë kishte gjithashtu për qëllim që të nxisë zhvillimin e debatit për format më të avancuara të gjithë-përfshirjes në proceset e ardhshme zgjedhore, sikurse edhe në përgatitjen e këtyre proceseve.
Të pranishëm si panelistë ishin: z. Haki Demolli(kryetar i Komisionit ad hoc për Amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet), z. Arsim Bajrami(kryetar i Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës), Leon Malazogu(ekspert i zgjedhjeve nga Shoqëria Civile), si dhe Ganimete Musliu(kryetare e Grupit Parlamentar të Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës). Po kështu merrnin pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të forumeve rinore të partive kryesore, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si: KDI, NDI, KIPRED, YIHR, D4D, Syri i Vizionit etj.
Konkluzionet e dala nga kjo konferencë kishin të bënin me sistemin e zgjedhjeve me shumë zona zgjedhore, sistemin me lista të hapura, digjitalizimin e procesit të numërimit të votave, vënien e gjobave për keqpërdoruesit, vënien e gjobave për KQZ-në(kërkimin e llogaridhënies), etj.